Futbollisti nga Kosova, Rilind Nivokazi, shkëlqeu mbrëmë me dy gola në fitoren e thellë 4:0 të Sionit në udhëtim ndaj Vaduzit.
Sulmuesi realizoi dy gola brenda 15 minutave të para të ndeshjes, përkatësisht në minutat 11 dhe 15.
Plot tre muaj kishin kaluar që nga hera e fundit kur Nivokazi ishte pjesë e formacionit titullar të Sionit.
Për shkak të mungesës së Winsley Botelit, i cili u përball me probleme pas helmimit nga ushqimi, sulmuesi kosovar mori mundësinë të luante nga minuta e parë në Vaduz. Ai e shpërbleu besimin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke realizuar dy gola.
Një punëtor i madh që nuk dorëzohet
Sipas mediumit zviceran “Blick”, situata e Nivokazit është vërtet e pazakontë. Një futbollist që shënon 13 gola dhe bëhet golashënuesi më i mirë i skuadrës, duke kontribuar në një sezon fantastik të klubit të tij, i cili siguron pjesëmarrjen në garat evropiane duke lënë pas YB-në dhe Baselin, vetëm një vit më vonë përfundon në rolin e zgjedhjes së dytë.
Në gusht, Nivokazi pati dy mundësi për të luajtur nga minuta e parë. Trajneri i Sionit, Didier Tholot, vendosi të aktivizonte dy sulmues: fillimisht talentin në ngritje, Winsley Boteli, së bashku me Nivokazin, ndërsa në ndeshjen tjetër Josias Lukembilan dhe sulmuesin nga Kosova.
Sioni i fitoi të dyja ndeshjet. Megjithatë, Tholot shpejt hoqi dorë nga skema me dy sulmues. Që atëherë, Nivokazi u shndërrua në lojtar rezervë. Nëntë ndeshje dhe plot tre muaj pritje për një mundësi të re.
Një futbollist si ai nuk dorëzohet
Këtë herë, për herë të parë këtë sezon, Nivokazit iu dha mundësia të luante si sulmues i vetëm, pasi Boteli mungoi për shkak të helmimit nga ushqimi, pas konsumimit të karkalecave të prishur.
“E kam pritur me aq shumë dëshirë këtë moment”, tha Nivokazi pas fitores 4:0 kundër Vaduzit.
Ai ishte protagonisti kryesor i ndeshjes. Fillimisht shënoi për 1:0, pas një pasimi fantastik të Donat Rrudhanit.
Më pas realizoi një gol të jashtëzakonshëm për 2:0, pas një vrapimi prej afro 70 metrash.
Gjatë aksionit, ai u pengua dy herë nga ndërhyrjet dhe ndjekja e Haslerit dhe Schwizerit, por arriti të qëndronte në këmbë dhe ta vazhdonte aksionin deri në realizimin e golit.
Sepse një futbollist si ai nuk dorëzohet lehtë.
Nivokazi është një punëtor i palodhur, i ardhur nga Peruxhia e Italisë, në rajonin e Umbrias. Një futbollist që në Itali nuk arriti të ngjitej përtej kategorisë së tretë, Serie C, por që me punë, përkushtim dhe këmbëngulje arriti të ndërtojë karrierën në futbollin zviceran, deri në elitë.
Pas sprintit prej 70 metrash, iu desh një kohë e gjatë për t'u rikuperuar
A ishte ky një gol i veçantë për të?
“Jo. Ose ndoshta po? Po! Më ka ndodhur diçka e ngjashme edhe kur luaja me Bellinzonën kundër Stade Nyonnais”, u shpreh Nivokazi.
Sido që të jetë, ai e konsideron njërin prej golave më të bukur të karrierës së tij.
“Sepse të bësh një vrapim të tillë, me dy, tre apo katër lojtarë që të ndjekin nga pas, kërkon një përpjekje të jashtëzakonshme. Mu desh një kohë e gjatë për t'u rikuperuar.
Pas atij aksioni isha krejtësisht i rraskapitur. Por pas një goli të tillë nuk e ndien lodhjen”, tregoi sulmuesi nga Kosova.
Nivokazi, i cili në maj debutoi me Kombëtaren e Kosovës në ndeshjen kundër Çekisë, të cilën Kosova e humbi 1:2, nuk u përfshi në listën e lojtarëve për Kampionatin Botëror.
Megjithatë, ai e ka fituar respektin e trajnerit me qëndrimin dhe profesionalizmin e tij.
“Për mua ishte e lehtë të kthehesha në ekip, sepse përgatitem gjithmonë në të njëjtën mënyrë. Nuk ka rëndësi nëse jam rezervist apo titullar”, deklaroi Nivokazi.
Kjo është pikërisht ajo që vlerëson trajneri Tholot.
“Rilindi ka një etikë të shkëlqyer pune!
Prandaj i ka merituar edhe këta gola në Vaduz”, tha trajneri i Sionit.
Nivokazi pritet ta humbasë sërish vendin në formacion
Megjithatë, nëse merret parasysh mënyra se si trajneri Tholot i qëndron besnik formacionit bazë, mund të parashikohet se pas pushimit të kombëtareve, në pozitën e sulmuesit kryesor do të rikthehet sërish Winsley Boteli.
Kështu, Nivokazi pritet të kthehet në rolin që e ka pasur gjatë këtij sezoni: atë të një lojtari rezervë.