Brajan Gruda kryevepër në fitoren 5:0 të Gjermanisë
Futbollisti shqiptar, Brajan Gruda, ishte protagonist në fitoren e thellë të Gjermanisë me rezultat 5:0 ndaj Holandës. Në ndeshjen e xhiros së fundit të Grupit 2 të Ligës A të Kombeve në futboll, Gruda shënoi një gol dhe asistoi në dy të tjerë, duke kontribuar në fitoren spektakolare të gjermanëve.
Gruda, pas Serbisë, i shkakton dhimbje të madhe edhe Holandës.
Brajan Gruda, në dy ndeshjet e para me Gjermaninë, ka regjistruar dy gola dhe dy asistime. Golin e parë e realizoi të premten e kaluar, në fitoren 3:1 ndaj Serbisë, ndërsa sonte shënoi një gol dhe dhuroi dy asistime në fitoren spektakolare 5:0 ndaj Holandës.
Gjermania dhe Holanda kualifikohen në çerekfinale.
Gjermania – Holanda 5:0
Stadiumi "Olympiastadion", Berlin.
Gjyqtar: G. Nyberg (Suedia).
Shikues: 71.765.
Shënues: Scherhant (41'), Wirtz (60' e 71'), Schlotterbeck (65'), Gruda (77')..
Kartona të verdhë: Meerdink.
Gjermania: ter Stegen, Treu (Jeltsch 75'), Tah, N. Schlotterbeck, Brown (Mittelstadt 64'), Kimmich, Pavlloviq, Wirtz (Bischof 75'), Gruda (Karl 82'), Havertz (Ebnoutalib 65'), Scherhant.
Holanda: Verbruggen, Dumfries, van Hecke, van de Ven, J. Timber (Maatsen 71), J. Veerman, Reijnders (Koopmeiners 79'), Q. Timber (Kluivert 63'), Summerville, Malen (Meerdink 71'), Gakpo (van Bommel 79').
Në minutën e 32-të, shtylla e majtë pingule e shpëtoi Holandën! Derry Scherhant goditi fuqishëm nga rreth 15 metra, por ishte i pafat, pasi topi u përplas në shtyllë.
Në minutën e 41-të, Derry Scherhant (Gjermania) shënoi me një goditje të bukur për rezultatin 1:0.
Në minutën e 51-të, Schlotterbeck dërgoi një top të gjatë dhe të saktë drejt Brajan Grudës. Ky i fundit depërtoi nga krahu drejt qendrës dhe goditi fuqishëm drejt portës, por topi kaloi pranë shtyllës.
Në minutën e 60-të, Wirtz kombinoi me Scherhantin në hyrje të zonës, por pasimi i kthyer nuk arriti siç duhet tek ai, pasi Dumfries ndërhyri dhe e ndali aksionin. Megjithatë, Wirtz nuk u dorëzua, rikuperoi topin, bëri një lëvizje të bukur për ta shmangur kundërshtarin dhe goditi fuqishëm nga mbi 16 metra. Topi u përplas në shtyllën e djathtë dhe përfundoi në rrjetë! Një gol i jashtëzakonshëm!
Në minutën e 65-të, duket se ky ishte goli që vulosi fitoren e Gjermanisë! Brajan Gruda ekzekutoi goditjen e lirë nga krahu i djathtë, duke dërguar një harkim të shkëlqyer në zonë, ku Nico Schlotterbeck kërceu dhe goditi bukur me kokë, duke e dërguar topin në këndin e majtë të portës. Portieri Verbruggen ishte i pafuqishëm për të reaguar! Një gol fantastik!
Në minutën e 71-të, Brajan Gruda asistoi për Florian Wirtzin, i cili shënoi golin e katërt për Gjermaninë, për rezultatin 4:0.
Në minutën e 77-të, Holanda pësoi një tjetër goditje të rëndë, ndërsa Brajan Gruda e kurorëzoi paraqitjen e tij fantastike edhe me gol!
Pas një pasimi të Joshua Kimmichut nga krahu i majtë, Derry Scherhant u gjend i lirë në zonë dhe goditi fuqishëm, por topi u përplas në shtyllë. Nga aty, topi u kthye në të djathtë, ku Brajan Gruda nuk fali dhe e dërgoi në rrjetë!
Gjermania e përfundoi këtë fazë në vendin e parë me 11 pikë, duke lënë prapa Holandën me 11 pikë dhe Greqinë me 11 pikë, ndërsa Serbia u rendit e fundit, me 0 pikë.