Barcelona ka shqyrtuar mundësinë e transferimit të mbrojtësit kroat, Josko Gvardiol, nga Manchester City gjatë negociatave për transferimin e mesfushorit Rodri në afatin kalimtar të verës.
Sipas raportimit të mediumit spanjoll “AS”, drejtuesit e klubit katalunas kishin kontaktuar Man Cityn për të marrë informacione rreth situatës së Gvardiolit, të cilin e shihnin si një përforcim të rëndësishëm për repartin defensiv.
24-vjeçari ishte njëri prej profileve që i përshtatej kërkesave të trajnerit Hansi Flick, pasi mund të luajë si në qendër të mbrojtjes, ashtu edhe në krahun e majtë.
Megjithatë, transferimi i tij u vlerësua si shumë i vështirë për t’u realizuar. Gvardiol së fundmi kishte vazhduar kontratën me Manchester Cityn deri në vitin 2031, ndërsa klubi anglez nuk kishte ndërmend të hiqte dorë nga shërbimet e tij.
Një tjetër pengesë për Barcelonën ishte edhe situata financiare. Klubi kishte përqendruar burimet ekonomike në realizimin e transferimit të Rodrit, duke mos pasur hapësirë të mjaftueshme për një tjetër operacion të madh financiar.
Ndërkohë, sipas “AS”, Gvardiol vazhdon të jetë një futbollist që vlerësohet shumë nga drejtuesit e Barcelonës, për shkak të moshës, cilësive dhe fleksibilitetit të tij në repartin defensiv.
Megjithatë, për ta rikthyer interesimin në një ofertë konkrete, Barcelona fillimisht duhet të krijojë hapësirën e nevojshme financiare në kuadër të rregullave të fair-play financiar.