Portugalia mposht Uellsin dhe rikthen qetësinë pas polemikave me Ronaldon

Futboll

Portugalia mposht Uellsin dhe rikthen qetësinë pas polemikave me Ronaldon

Nga: B.S Më: 17 nëntor 2026 Në ora: 23:15
Pedro Neto shënoi gol dhe u përjashtua me karton të kuq në fitoren 3:2 të Portugalisë ndaj Uellsit

Portugalia i bëri ballë një Uellsi luftarak dhe shpërqendrimit të shkaktuar nga tërheqja e Cristiano Ronaldos nga futbolli ndërkombëtar, duke fituar me rezultat 3:2 në Cardiff dhe duke siguruar vendin e parë në Grupin A4 të Ligës së Kombeve.

Bruno Fernandes, Pedro Neto dhe Carlos Forbs shënuan për skuadrën e drejtuar nga Jorge Jesus, e cila u rikthye te fitorja pas humbjes së rëndë 4:1 në shtëpi ndaj Danimarkës të shtunën.

Sipas “AFP”, ky rezultat riktheu në qendër të vëmendjes vendimin e Ronaldos për t'i dhënë fund karrierës së tij 23-vjeçare me kombëtaren, pas përplasjes me trajnerin Jesus.

Megjithatë, Portugalia ka fituar pesë nga gjashtë ndeshjet që kur Jesus mori drejtimin e saj në fund të Kupës së Botës.

Uells e nisi ndeshjen në mënyrën më të keqe të mundshme.

Joao Neves ia rrëmbeu topin Josh Sheehan dhe asistoi për kapitenin e Manchester Unitedit, Bruno Fernandes, i cili në minutën e 11-të realizoi me një goditje të fuqishme në këndin e sipërm të portës.

Epërsia zgjati pak, pasi David Brooks barazoi rezultatin (13’), duke e dërguar topin në këndin e largët, pas një goditjeje fillestare të Harry Wilsonit, të cilën e priti Diogo Costa.

Portugalia dominonte në posedimin e topit, por vazhdonte t'i lejonte Uellsit raste të mëdha në kundërsulme. Wilson u ndal edhe një herë nga portieri Costa.

Më pas, Sorba Thomas përshkoi me shpejtësi një distancë të madhe nga gjysma e vet e fushës dhe, pas asistimit të Brooks, i dha epërsinë (40’) skuadrës së drejtuar nga Craig Bellamy.

Por kësaj radhe ishte Uellsi që nuk arriti ta ruante epërsinë. Pedro Neto (43’) përfitoi në shtyllën e dytë dhe barazoi rezultatin.

Në një mbrëmje të veçantë për sulmuesin e Chelseat, Neto goditi edhe shtyllën pas një aksioni individual të shkëlqyer.

Zëvendësuesi Carlos Forbs u bë vendimtar, duke shënuar (70’) golin e tij të parë me kombëtaren pas një largimi të dobët me kokë të topit nga Ben Cabango.

Portugalia u detyrua t'i përballonte 15 minutat e fundit me një lojtar më pak, pasi Neto u ndëshkua me dy kartonë të verdhë për dy ndërhyrje të ashpra, të kryera brenda pak më shumë se dy minutave.

Megjithatë, portugezët arritën ta ruanin epërsinë, duke i sjellë pak qetësi trajnerit Jorge Jesus, i cili në konferencën për shtyp para ndeshjes u përball me shumë pyetje lidhur me kritikat e nënës së Ronaldos, Dolores Aveiro.

Në çerekfinale, Portugalia do të përballet me njërën nga këto tri kombëtaret: Holandën, Belgjikën ose Spanjën. Shorti do të hidhet të premten.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat