Barcelona është në pritje të një oferte konkrete për Alejandro Balden, para se të vendosë nëse do ta lejojë largimin e mbrojtësit të krahut të majtë gjatë afatit kalimtar të janarit.
Sipas mediumit spanjoll “MARCA”, e ardhmja e 22-vjeçarit lidhet ngushtë me planet e Barcelonës për përforcimin e repartit defensiv, pasi trajneri Hansi Flick e konsideron transferimin e një qendërmbrojtësi si prioritetin kryesor për afatin kalimtar dimëror.
Pavarësisht spekulimeve të shumta për të ardhmen e Baldes, Barcelona ende nuk ka pranuar ndonjë ofertë zyrtare për të.
Ndërkohë, agjenti i futbollistit, Jorge Mendes, është duke shqyrtuar destinacione të mundshme për klientin e tij dhe pritet ta informojë klubin katalunas për zhvillimet e negociatave.
Një prej skuadrave që ka shfaqur interesim për reprezentuesin spanjoll është Juventusi. Sipas raportimeve, klubi italian po shqyrton mundësinë e huazimit të tij për gjashtë muaj, pa obligim blerjeje.
Trajneri Luciano Spalletti kërkon përforcime në krahun e majtë të mbrojtjes, ndërsa Balde raportohet të jetë në krye të listës së dëshirave, para alternativave si Rayan Ait-Nouri dhe Destiny Udogie.
Megjithatë, kjo mundësi nuk përputhet me planet e Barcelonës, e cila preferon një transferim të përhershëm dhe jo një huazim që nuk do t’i sillte të ardhura të menjëhershme klubit.
Barcelona raportohet se e vlerëson Balden rreth 40 milionë euro, shumë që mund të jetë vështirë të arrihet duke pasur parasysh minutazhin e tij të kufizuar këtë sezon.