Pochetino i përgjigjet lojtarit të Cityt

Futboll

Pochetino i përgjigjet lojtarit të Cityt

Nga: B.S Më: 18 nëntor 2026 Në ora: 15:07
Mauricio Pochetino, trajneri i ri i Manchester Unitedit

Mauricio Pochetino, trajneri i ri i Manchester Unitedit, ka deklaruar se i duhet kohë për ta rikthyer klubin në pozitën e një force dominuese në qytetin e Manchesterit.

Trajneri foli për punën e tij të re pas ndeshjes së fundit në krye të kombëtares amerikane, e cila mposhti Haitin me rezultat 2:0 në ndeshjen e kthimit të çerekfinales së Ligës së Kombeve të CONCACAF-it dhe, me rezultat të përgjithshëm 8:0, siguroi kualifikimin në gjysmëfinale.

Pochetino e ka pasuar Michael Carrickun në stolin e Manchester Unitedit, ndërsa ndeshjen e parë do ta drejtojë të dielën, më 22 nëntor, kundër Liverpoolit në Anfield. Emërimi i tij vjen në një moment kur Unitedi ndodhet në zonën e rënies nga Premier League.

Ish-lojtari i Cityt e provokoi në studion televizive

Pas ndeshjes me Haitin, Pochetino ishte mysafir në studion e TNT Sports, ku ish-reprezentuesi amerikan DaMarcus Beasley, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Manchester Cityn, i tha:

“Manchesteri është i kaltër dhe gjithmonë do të mbetet i kaltër.”

Pochetino iu përgjigj menjëherë:

“Do ta shihni se do të jetë i kuq. Më jepni kohë.”

“Është një sfidë e re dhe e madhe, por në të njëjtën kohë sjell adrenalinën që dëshironi ta ndieni. Duhet të udhëhiqemi nga arsyeja e shëndoshë.

E dimë se situata në të cilën ndodhet Manchester Unitedi nuk është ajo që e meriton ky klub. Tifozët janë të jashtëzakonshëm”, tha Pochetino.

Trajneri argjentinas foli edhe për mënyrën se si dëshiron të punojë me futbollistët e Unitedit.

“Mentaliteti ynë është të mësojmë nga të gjithë. Duhet të jeni mendjehapur, sepse mendoj se futbollistët mund të na mësojnë diçka çdo ditë. Sot jemi një shtab teknik shumë më i mirë sesa dikur. Futbolli është çështje e qëndrimit dhe qasjes. Bëhet fjalë për lidhjen, emocionet dhe komunikimin”, shtoi ai.

Pochetino rikthehet në Premier League pasi më parë ka drejtuar Southamptonin, Tottenhamin dhe Chelsean.

Gjurmën më të madhe e la te Tottenhami, me të cilin në vitin 2019 arriti në finalen e Ligës së Kampionëve. Ai drejtoi edhe Paris Saint-Germainin, me të cilin fitoi titullin e kampionit të Francës.

Kombëtaren amerikane e mori në drejtim në vitin 2024 dhe e udhëhoqi atë në Kampionatin Botëror 2026, ku Shtetet e Bashkuara arritën deri në 1/8 e finales. Paraqitja e tij e fundit në stolin e kombëtares amerikane përfundoi me fitoren kundër Haitit, në të cilën golat i shënuan Christian Pulisic dhe Julian Hall.

Unitedi në dhjetë xhirot e para të Premier League kishte arritur vetëm një fitore, për çka Carrick u shkarkua. Kështu, Pochetinon që në debutimin e tij e pret një detyrë jashtëzakonisht e vështirë, pasi do të luajë si mysafir kundër Liverpoolit.

Ndeshja në Anfield do të zhvillohet të dielën, në orën 17:30.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat