​Rodas Edgar nga SHBA-ja, pjesë e Kongresit të parë klinik të kirurgëve shqiptarë

Kosova

​Rodas Edgar nga SHBA-ja, pjesë e Kongresit të parë klinik të kirurgëve shqiptarë

Më: 26 shtator 2025 Në ora: 12:14
​Rodas Edgar

Kongresi i parë klinik i kirurgëve shqiptarë në Prishtinë po mbledh jo vetëm emra të njohur të mjekësisë vendore, por edhe personalitete ndërkombëtare të kirurgjisë. Në mesin e tyre është edhe kirurgu traumatolog nga Virgjinia, Rodas Edgar i cili e sheh pjesëmarrjen në këtë ngjarje si një përvojë të veçantë dhe domethënëse, duke e lidhur atë edhe me historinë personale të familjes së tij.

Edgar: Jam i lumtur që po ndaj përvojën time në Prishtinë

“Babai im vizitoi Prishtinën 23 vjet më parë dhe dha një prezantim këtu, ku ishte ftuar nga Doktor [Rifat] Latifi. Pra, për mua është një mbyllje e bukur që më në fund mund të vij këtu, të jem në këtë vend, të takoj njerëzit dhe të ndajmë përvojën tonë”, tha ai.

Sipas tij Kongresi që po mbahet në Prishtinë po kontribuon në zhvillimin e kirurgjisë dhe shkencës në Kosovë.

Edgar: Kongresi po sjell folës ndëkombëtar

“I jashtëzakonshëm. Mendoj se kolegji këtu ka bërë një punë të mrekullueshme duke sjellë kaq shumë folës ndërkombëtarë që përfaqësojnë të gjitha specialitetet e kirurgjisë dhe disa specialitete jashtë kirurgjisë për të ndarë punën ndërkombëtare. Gjithashtu, kanë sjellë njerëz nga Kosova që punojnë jashtë saj. Ka shumë mjekë që jetojnë jashtë dhe po kthehen në vendin e tyre për të dhënë kontribut dhe për të ndihmuar zhvillimin e kirurgjisë dhe shkencës këtu. Është mjaft mbresëlënëse”, tha ai.

Kirurgu amerikan i cili për herë të parë po qëndron në Kosovës thotë se përmes këtyre kongreseve, si ky i kirurgëve shqiptarë, ndihmohet në krijimin e lidhjeve të reja që avancojnë edukimin profesional.

Edgar: Pjesëmarrja në kongrese ndihmon për të shkëmbyer përvoja

“Tradicionalisht, pjesëmarrja në kongrese kirurgjikale si ky është një mënyrë për të takuar dhe krijuar lidhje me liderët e kirurgjisë në fusha të ndryshme, për të shkëmbyer ide dhe ndoshta për të marrë ide të reja që mund t’i implementojmë në praktikën tonë. Tani, me telekonferencat, mund të bëjmë më shumë në edukimin online por, asgjë nuk zëvendëson kontaktin njerëzor. Duke vizituar një kontinent tjetër, një vend tjetër, një kulturë tjetër, ndjen ngrohtësinë e njerëzve, e cila mbetet me ty së bashku me njohuritë. Këtë e vlerësoj shumë”, tha kirurgu traumatolog nga Virgjinia. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat