President i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, e përgëzon ish presidentin e KOK-ut, Besim Hasani, për çmimin “Urdhri Olimpik”.
Hasani shumëkënd e la pa koment apo i zuri në befasi me këtë çmim, që e mori nga presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach.
“Z. Hasani, më lejoni që në emrin tim personal, të Bordit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik të Kosovës dhe tërë Lëvizjes Olimpike në Kosovë, të ju shpreh urimet më të sinqerta për pranimin e çmimit “Urdhri Olimpik”, që mbrëmë iu nda nga presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, z. Thomas Bach.
Kontributi juaj në promovimin e vlerave olimpike dhe në udhëheqjen e Lëvizjes Olimpike në Kosovë, padyshim se meritonte një çmim të tillë, i cili nderon gjithë sportin e Kosovës.
Presidenti Bach e dëshmoi edhe një herë se është dhe do të mbetet përkrahës i madh i avancimit të Lëvizjes Olimpike në Kosovë, për çka Komiteti Olimpik i Kosovës do të jetë i përkushtuar për të punuar ngushtë me të.
Duke ju përgëzuar edhe një herë për çmimin, ju uroj shëndet dhe suksese të mëtutjeshme”, ka shkruar Ismet Krasniqi.