Calja nuk ia ka dalë të sigurojë medalje

Sporti

Calja nuk ia ka dalë të sigurojë medalje

Më: 18 prill 2023 Në ora: 19:43
Briken Calja

Briken Calja nuk ia ka dalë të sigurojë medalje dhe as pozicionim në renditje në Europianin e Peshëngritjes që po zhvillohet në Jerevan të Armenisë, duke gabuar në stilin e shkëputjes që ka qenë zakonisht pika e fortë e tij.

Peshëngritësi shqiptar kishte lënë pas dëmtimet dhe udhëtonte drejt këtij aktiviteti me dëshirën për të siguruar medalje të tjera dhe pikë të rëndësishme për pjesëmarrjen në Olimpiadën e vitit 2024 në Paris. Por gjërat në pedanë nuk kanë shkruar siç shpresonte ai.

Calja u ngjit në pedanë fillimisht duke vendosur peshën 151 kilogram, por dështoi që në provën e parë.

Ai përsëriti të njëjtën peshë pak minuta më vonë, por nuk ia doli ta realizonte as atë provë.

Tentativa e tretë ishte me peshën 152 kilogram, duke tentuar që të hynte menjëherë në zonën e medaljeve. Por shtangisti shqiptar nuk arriti përsëri të mbante lart shtangën e kështu mbylli këtë disiplinë pa një pozicionim në renditje.

Calja më pas nuk mori pjesë në stilin e shtytjes, duke mos i dalë kështu të regjistronte pikë në këtë aktivitet. Ndërkohë, Erkand Qerimaj mori pjesë në baterinë B po të peshës 73 kilogramë, duke regjistruar 150 kilogram në shkëputje  dhe 168 kilogramë në shtytje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat