​Kampionit evropian në bodybuilding nuk i njihet medalja

Sporti

​Kampionit evropian në bodybuilding nuk i njihet medalja

Më: 20 maj 2023 Në ora: 11:25
Kushtrim Bajraktaraj

Në Kampionatin Evropian të Bodybuildingut, që u mbajt së fundmi në Spanjë, Kosovës i erdhi një medalje e artë dhe një e argjendtë. Kushtrim Bajraktaraj u shpall kampion i Evropës, kurse Betim Krasniqi nënkampion në kategorinë deri në 75 kilogramë. Mirëpo, shpërblimi që pason nga shteti për arritje të tilla, të dy sportistët nuk do t’i gëzojnë.

I lumtur me suksesin e arritur në shtetin që nuk e njeh Kosovën, shprehet Bajraktaraj, i cili thotë se përtej kësaj, ai i ka sjellur edhe dy medalje të tjera të arta vendit vetëm brenda një muaji, derisa numëron 16 tituj ndërkombëtar në bodybuilding.

Bajraktaraj: Për një javë i solla Kosovës tri medalje të arta

“Unë në kampionatet në Kosovë kam qenë gjithmonë kampion prej vitit 2009 në kategorinë time, ndërsa prej vitit 2014 fillova të jem edhe absolut mbarëkombëtar, kurse sa i përket medaljeve që kam marr në IFBB gjithsejtë i numëroj 16, prej këtyre 16 i kam vetë dy të bronzta, të gjitha të tjerat janë të argjendta dhe të arta, kurse këto të fundit, i kam tri të arta që i kam fituar vetëm për tri javë. Për tri javë ditë i kam sjellë shtetit të Kosovës tri medalje të arta në tri kampionate mjaftë të fuqishme siç janë Kupa e Evropës, Kampionati Ballkanik dhe Kampionati Evropian. Tek kjo e fundit, është medalja e parë në shqiptari që vjen prej një kampionati evropian”, thotë Bajraktaraj.

Mirëpo, për shkak të legjislacionit kosovar medalja e Bajraktarajt nuk njihet nga shteti, e rrjedhimisht nuk i takon shpërblimi. Kjo për shkak të minimumit të pjesëmarrësve që kërkohet të jenë në garë.

Bajraktaraj thotë se ndihet i zhgënjyer pasi pjesëmarrja ose jo e shteteve apo e garuesve nuk është në dorën e tij.

Bajraktaraj: Shteti nuk po e njeh medaljen time

“Nuk është se nuk kemi pasur ndonjë përkrahje, mirëpo përkrahja që është bërë prej ministrisë, sepse ne e dimë që ministria ka ligje që janë të dedikuara për sportistët si për shpërblim ashtu edhe për kompensim mendoj që sporti ynë, në veçanti bodybuldingu këto shpërblime dhe kompensime i ka minimale, do të thotë janë shumë, shumë minimale në krahasim më atë çfarë neve na duhet për ta ushtruar këtë sport. Pavarësisht prej kësaj, tani me këtë medalje, kuptova që ka edhe nën ligje, që me të vërtetë është nënçmuese ose nuk di si ta quaj. Në qoftë se një sportist sjellë një medalje dhe shtetit thotë ‘jo kjo medalje nuk njihet sepse janë do ligje që duhet të ketë minimum 8 garues ose minimum 20 shtete’. Sportisti shkon në një kampionat evropian që ta fitojë garën dhe ai i dalin 20 apo 50 garues, ai i dalin 8 garues, sportisti nuk ka faj”, thekson Bajraktaraj.

Bajraktaraj thotë se në Shqipëri ligji i sportit për këtë pjesë është shumë më i mirë. Sipas tij, po ta fitonte këtë medalje të artë për Shqipërinë, ai do t’i përfitonte 60 mijë euro.

Bajraktaraj: Në Shqipëri me këtë medalje do t’i merrja 60 mijë euro

“Ne e kemi shtetin shqiptar, qe katër vite, a din sa kisha marrë pare unë me këtë medalje të artë po t’ia dërgoja shtetit shqiptar? 60 mijë euro dhe 30 përqind të vlerës së 60 mijë eurove e merr trajneri. Në qoftë se unë ia dërgoj shtetit shqiptar një medalje të artë nga kampionati botëror unë do t’i merrja 100 mijë euro. Mirëpo, çfarë ka bërë Edi Rama me këtë, do të thotë kjo është një mençuri shumë e madhe dhe është një veprim me të vërtetë për t’u duartrokitur. Deri para dy viteve Shqipëria nuk ka mundur ta organizojë kampionatin kombëtar për shkak se nuk ka pasur garues, nuk kanë pasur interes sportistët të merren më këtë punë, mirëpo në momentin kur është aprovuar dhe ka hyrë ligji në fuqi me këto vlera që nëse e sjellë një medalje të artë prej një kampionati evropian i fiton 60 mijë, nëse sjellë të argjendtën i merr 40 mijë, të bronztën i merr 25 mijë, atëherë sportistët kanë shfaqur interes në këtë drejtim dhe sivjet Shqipëria në kampionatin evropian është përfaqësuar me 11 garues”, thotë më tutje Bajraktaraj.

Bajraktaraj e pranon hapur se ndihet i nënçmuar e i injoruar nga ana e shtetit, por thotë se nuk do të dekurajohet nga kjo situatë.

Bajraktaraj: Ndihem i nënçmuar nga shteti, por nuk dekurajohem

“Personalisht, asnjë grimë nuk jam i dekurajuar, ndihem i nënçmuar, ndihem i injoruar sepse i kam sjellë 16 medalje shtetit të Kosovës, kam sjellë medalje që nuk i ka pasur shteti i Kosovës dhe pa modesti e them që në të gjitha shtetet që e kanë përbërë ish-Jugosllavinë, Kushtrimi është 1-shi. Në të gjitha shtetet që e kanë përbërë ish-Jugosllavinë asnjë nuk ka medalje sa ka Kushtrimi. Ndihem i nënçmuar dhe i injoruar nga shteti në këtë gjë, mirëpo jo i dekurajuar sepse unë do të vazhdoj me gara prapë derisa ta kem shëndetin”, thotë në fund Bajraktaraj.

Përveç Bajraktarajt, me medalje në Spanjë u stolisën edhe Betim Krasniqi si nënkampion i Evropës dhe Granit Kuleta, që mori pozitën e gjashtë na kategorinë deri 95 kilogramë.

Të dy thonë se ndihen krenarë që po e përfaqësojnë Kosovën në garat ndërkombëtare duke fituar medalje elitare.

Krasniqi thotë se triumfi në Spanjë, në një shtet që nuk e njeh Republikën e Kosovës, është shumë i veçantë.

Krasniqi: Krenari ta ngrehim flamurin e Kosovës në Spanjë me medaljet tona

“Prej vitit 2012 jam garues i pandalshëm, sukseset e mia janë kampion i Kosovës i shumëfishtë, kampion evropian në një federatë jo si IFBP, por pak më e ulët, dy herë nënkampion botëror në federata më të vogla, në vitin 2022 nënkampion botëror dhe së fundi nënkampion evropian 2023... Është hera e dytë që marrë pjesë në kampionatet botërore dhe evropiane në Spanjë. Është një ndjenjë shumë e veçantë, sepse jemi në një shtet që nuk e njeh shtetin tonë dhe shkojmë e prezantojmë Kosovën dhe marrim medalje në atë vend ku thirret përveç emrit tim personal edhe emri i shtetit tonë dhe ngritët normal flamuri.”, shprehet Krasniqi.

Ndërsa, Kuelta thotë se përkundër vështirësive, po arrijnë që të marrin pjesë në gara të rëndësishme dhe t’i sjellin Kosovës medalje.

Kuleta: Kemi gjetur formulën që Kosovës t’i sjellim medalje të njëpasnjëshme

“E kemi gjetur një rrugëdalje që mund t’ia dalim deri në fund edhe po sjellim medalje kohë pas kohe si unë edhe kolegët e tjera nga gara të ndryshme që janë edhe nëpër kampionate evropiane edhe nga garat në Dubai, Shqipëri e shumë gara të tjera... Këto tri medalje janë të këtij viti, kam edhe medalje të vitit të kaluar e kam vendin e gjashtë në botë, vendin e katërt në Evropë vitin e kaluar, ky është vendi i parë në Dubai që e kam marr këtë vit në kategorinë deri 95 kilogramë dhe kjo është vendi i parë në Evropian Kamp në Shqipëri që është mbajtur këtë vit deri në 95 kilogramë, ndërsa kjo është Kampionati Evropian, gara e fundit, vendi i gjashtë deri në 95 kilogram.”, thotë Kuleta.

Që të tre sportistët thonë se do të marrin pjesë edhe në garën e ardhshme që është kampionati botëror e i cili do të mbahet në muajin nëntor të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat