Prishtina do të jetë nikoqire e një prej ngjarjeve më të mëdha sportive të vitit 2025, pasi nga 11 deri më 14 dhjetor do të zhvillohet Kampionati Evropian U21 në Taekwondo. Federata e Taekwondo-së së Kosovës ka konfirmuar se mbi 700 pjesëmarrës janë regjistruar zyrtarisht nga 38 shtete të Evropës, ndërsa numri total i të pranishmëve pritet të arrijë rreth 1,000 persona, përfshirë trajnerët, stafin dhe shoqërues të tjerë.
Për katër ditë me radhë, kryeqyteti i Kosovës do të shndërrohet në qendrën evropiane të këtij sporti, duke mirëpritur talentet më të mirë të kontinentit. Rëndësia e këtij eventi rritet edhe më shumë nga fakti se marrin pjesë shtete që nuk e njohin Kosovën, si Rusia, Spanja, Greqia, Sllovakia, Ukraina, Moldavia, Rumania, Armenia, Qipro dhe Bosnja e Hercegovina, të cilat kanë konfirmuar pjesëmarrje me delegacione të mëdha.
Lista e plotë e vendeve pjesëmarrëse përfshin Armeninë, Austrinë, Belgjikën, Bosnjën e Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Qipron, Republikën Çeke, Danimarkën, Estoninë, Finlandën, Francën, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Greqinë, Hungarinë, Izraelin, Italinë, Kosovën, Lituaninë, Luksemburgun, Malin e Zi, Holandën, Maqedoninë e Veriut, Norvegjinë, Poloninë, Portugalinë, Rusinë, Republikën e Moldavisë, Rumaninë, Shqipërinë, Sllovakinë, Slloveninë, Spanjën, Ekipin e Refugjatëve, Turqinë dhe Ukrainën.
Ky event shihet si një prej hapave më të rëndësishëm për sportin kosovar, duke sjellë në vend konkurrencën më të lartë evropiane dhe duke e vendosur Kosovën në qendër të vëmendjes së komunitetit ndërkombëtar të Taekwondo-së.