Nga pista e atletikës deri te finalja e Kampionatit Botëror të futsallit, rrugëtimi i gjyqtares kosovare Florentina Kallaba është histori përkushtimi, pune të vazhdueshme dhe thyerje paragjykimesh. Në një rrëfim të detajuar për KosovaPress, rreth karrierën e saj, ajo flet për hapat e parë në sport, kalimin në futboll e më pas në futsall, sfidat si femër në këtë profesion dhe momentet kulmore që e kanë bërë emër të njohur në arenën ndërkombëtare.
Kallaba tregon se lidhja e saj me sportin ka nisur që në fëmijëri, duke u angazhuar fillimisht në atletikë që nga mosha tetëvjeçare, ku për tetë vjet ka përfaqësuar Kosovën. Pas një ndërprerjeje, ajo ka vazhduar me futbollin e femrave në Gjilan, ku për pesë vite ka qenë lojtare e ekipit, para se të marrë licencën B të UEFA-s për trajnere dhe të fillojë punën me grupmoshat e reja, çka gradualisht e ka çuar drejt referimit në futsall.
Kallaba: Fillova si atlete pastaj kalova në futsall
“Dëshira ime për sportin ka qenë që nga fëmijëria. Nga mosha tetë vjeçare kam filluar me atletikë, ku kam qenë atlete e Kosovës për tetë vite me radhë. Pastaj kam pasur një ndërprerje. Kam vazhduar me futboll, të luaj në ekipin e femrave në Gjilan, intelektualet. Atje kam qenë pesë vjet lojtare e këtij ekipi. Pas pesë viteve kam marrë licencën për trajnere të futbollit, licencën B prej UEFA-s. Pastaj kam filluar të punoj në ekipin e 2 Korrikut, për fëmijë dhe gradualisht, pas dy-tre vjetësh, kam filluar edhe të shkoj si refere e futsallit”, bën të ditur fillimisht Kallaba.
Duke kujtuar fillimet në rolin e gjyqtares, Kallaba thekson se ndeshja e saj e parë në futsall, para pesë vitesh, ka qenë e mbushur me emocione të përziera. Ajo e përshkruan atë përvojë si një moment ku nuk kishte pritshmëri të qarta, por thjesht dëshirë për ta provuar veten dhe për të parë nëse ky rol do t’i përshtatej.
Kallaba: Ndeshjen e parë si gjyqtare e kisha para 5 vitesh
“Para pesë vitesh unë kam filluar të merrem me futsall. Ka qenë ndeshja e parë para pesë vitesh...Ka qenë emocionale, por në të njëjtën kohë edhe kam qenë pa emocione. Nuk i kam ditur thjesht se çka po dua të bëjë, vetëm kam shkuar, hajde të shoh a po më pëlqen apo nuk po më pëlqen”, vijon tutje Kallaba.
Në rrëfimin e saj, Kallaba pranon se paragjykimet janë të pranishme në çdo fushë, por thekson se mënyra se si përballohen ato është vendimtare. Sipas saj, respekti nga ekipet dhe mbështetja që ka marrë brenda futsallit e kanë ndihmuar t’i kalojë më lehtë vështirësitë dhe të fokusohet në zhvillimin profesional.
Kallaba: Ka paragjykime por nuk më ka munguar as mbështetja
“Unë mendoj që në çdo fushë ka vështirësi edhe ka paragjykime, por varet krejt nga persona se qysh i marrin paragjykimet. Për mua nuk ka qenë shumë e vështirë për shkak se me ekipe kam pasur një respekt shumë të mirë, por edhe mbështetjen nga futsalli e kam pasur dhe i kam tejkaluar shumë më lehtë vështirësitë.
Ajo shpjegon se viti 2021 ka qenë pikë kthese në karrierën e saj, kur është pajisur me stemat e UEFA-s dhe FIFA-s. Fillimisht me synimin për të kontribuar brenda Kosovës, Kallaba thotë se me kalimin e kohës ka parë mundësi më të mëdha, ndeshje të rëndësishme dhe sfida që e kanë motivuar të punojë vazhdimisht për nivele më të larta.
Kallaba: Në vitin 2021 filloi rrugëtimi im ndërkombëtar
“Para katër vitesh, ka qenë 2021-tën kur jam pajisur me stemën e UEFA-s, të FIFA-s. Ka filluar rrugëtimi im që prej vitit 2021 deri më tani dhe besoj që do të vazhdoj...Kur kam filluar futsallin kam menduar vetëm për Kosovë, por pastaj kam parë që është edhe stema, janë edhe lojërat e rëndësishme, edhe çdo herë kam punuar për diçka më të lartë”, thekson Kallaba.
Një nga arritjet më të mëdha të saj mbetet fakti se ka qenë gjyqtarja e parë që ka nisur dhe ka përmbyllur një Kampionat Botëror futsalli në fund të vitit 2025. Kallaba e vlerëson këtë si rezultat të punës së pandërprerë dhe korrektësisë profesionale, duke e cilësuar si një moment me vlerë të jashtëzakonshme personale dhe kombëtare, pasi përveç emrit të saj ka përfaqësuar edhe shtetin e Kosovës.
Kallaba: Jam gjyqtarja e parë që e kam nisur dhe e kam mbyllur Kampionatin Botëror
“Puna ime në kontinuitet edhe puna e vazhdueshme, korrektësia, kanë bërë që unë të jem pjesë e finales së Kampionatit Botëror. Po është interesante mund të them se jam referja e parë që kam filluar Kampionatin Botëror, kam qenë pjesë e lojës së parë dhe kam përfunduar Kampionatin Botëror. Kjo ka qenë një gjë shumë, shumë e vlefshme për mua personalisht dhe për Kosovën...Më shumë se përgjegjësi, edhe krenari kam ndjerë shumë. Ka qenë një ndjenjë e veçantë, se përveç emrit tim kam bartur edhe shtetin e Kosovës, ku ka qenë përgjegjësia shumëfish më e madhe”, shtoi Kallaba.
Duke folur për finalen e Kampionatit Botëror, ajo përshkruan një përjetim të mbushur me adrenalinë, përgjegjësi dhe përqendrim maksimal, ku emocionet dhe presioni bashkëjetojnë.
Kallaba: Ishte adrenaline e papërshkrueshme
“Ka qenë diçka që ke emocione shumë, poR në të njëjtën kohë ke mendime shumë se qysh do të shkojë ndeshja, çfarë do të ndodhë. Por prapë kur hyn me ato qëllimet e tua dhe mendimet e tua se do të shkojë gjithçka mirë, prapë i tejkalon. Thjesht një adrenalinë që nuk përshkruhet një finale e Kampionatit Botëror, se si do të kalojë”, zbulon Kallaba.
Në fund, Kallaba theksoi se pajisja me stemën e FIFA-s përfaqëson një hap edhe më të madh në karrierën e saj, pasi i hap rrugë pjesëmarrjes në gara ndërkombëtare dhe përfaqësimit të Kosovës në skenën më të lartë të futsallit botëror.