Fjalët janë të pamjaftueshme për të shprehur trishtimin, presidenti i FIFA-s mesazh

Futboll

Fjalët janë të pamjaftueshme për të shprehur trishtimin, presidenti i FIFA-s mesazh

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 11:30
Bariç

Presidenti i FIFA-s Gianni Infantino shprehu dhimbjen për vdekjen e ish-trajnerit të Shqipërisë Oto Bariç 3 ditë më parë nga koronavirusi.

Në një mesazh të dërguar për federatat e futbollit të Kroacisë, Shqipërisë dhe Austrisë, kreu i futbollit botëror çmoi kontributin dhe arritjet e 87-vjeçarit.

Bariç u nda nga jeta 3 ditë më parë në spitalin e Dubravës teksa ndodhej në gjendje të rëndë prej ‘COVID’-it. Ai drejtoi Shqipërinë në vitet 2006-2007 dhe kombëtaren kroate në EURO 2004. Në rang klubesh, Bariç drejtoi mjaft skuadra në Kroaci, Austri, etj.

“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të përzemërta për ndarjen nga jeta të ish-trajnerit të kombëtares dhe figurës emblematike të futbollit kroat, Oto Barić. Fjalët duken të pamjaftueshme për të shprehur trishtimin që ndiejmë për këtë humbje.

Ai ishte trajner i klubeve në Kroaci, Gjermani, Austri dhe Turqi, duke fituar disa tituj me FC Wacker Innsbruck, SK Rapid Vjenë, FC Red BullSalzburg dhe GNK Dinamo.

Ai gjithashtu ishte trajner i ekipeve Kombëtare të Austrisë, Kroacisë dhe Shqipërisë, që ishte edhe emërimi i tij i fundit. I konsideruar si një nga trajnerët më të suksesshëm të futbollit kroat të të gjitha kohërave, një legjendë e trajningut, udhëheqës dhe motivues i ekipit, trashëgimia dhe arritjet e tij, e në veçanti lidershipi i tij, personaliteti i tij dhe cilësitë e tij njerëzore nuk do të harrohen kurrë, dhe ai do të na mungojë shumë.

Në emër të komunitetit ndërkombëtar të futbollit, unë dëshiroj të përcjell ngushëllimet tona më të ndjera për Federatën Kroate të Futbollit, dhe për familjen, miqtë dhe të dashurit e Oto-s”, shkruan presidenti i FIFA-s Xhani Infantino.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat