Gazidis “ngre në qiell” Milanin, “shenjtëron” Ibrën dhe Maldinin

Futboll

Gazidis “ngre në qiell” Milanin, “shenjtëron” Ibrën dhe Maldinin

Më: 20 dhjetor 2020 Në ora: 07:47
Gazidis, Ibra, Maldini

Ivan Gazidis, drejtori menaxhues i Milanit, buzëqesh për vendin e parë në renditje, por predikon kujdes: “Unë jam shumë i kënaqur me performancën e ekipit, por duhet t’i mbajmë këmbët në tokë. Ky është akoma fillimi i një projekti për një klub që ka kaluar kaq shumë peripeci në këtë dekadë. Ne kemi ekipin më të ri në pesë ligat më të rëndësishme, një gjë e pabesueshme, duke marrë parasysh që Zlatan Ibrahimovic, me 39 vitet e tij e rrit mesataren tmerrësisht. Tani për tani nuk kemi arritur asgjë”.

Futbolli i bukur i Milanit

“Ne jemi duke luajtur futboll proaktiv, në sulm, kemi shënuar të paktën dy gola radhazi në 14 ose 15 ndeshjet e fundit. Një rekord për futbollin italian. Shpresoj që tifozët e Milanit të ndiejnë krenarinë që ne si drejtues ndiejmë. Fatkeqësisht, nuk mund t’i shohim ata duke gëzuar nëpër stadiume”. Dhe pastaj një vlerësim për Ibrahimovic: “Zlatan vazhdon ta quajë veten Benjamin Button, vazhdon të rinohet. Është shumë interesante, të gjithë lojtarët që vijnë te Milani duan të fitojnë diçka. Kjo do të jetë një trashëgimi, që Zlatan do ta lërë, sepse ka fituar kaq shumë. Ai erdhi këtu duke kuptuar sfidën tonë, është një lojtar ndryshe nga sa ishte dhjetë vjet më parë. Nuk vrapon më aq sa dikur, por ka dhjetë lojtarë të gatshëm që të vdesin për të. Është një sfidë tjetër për të, e udhëheqjes. Ai kërkon angazhimin maksimal nga ata që e rrethojnë. Lojtarët tanë, klubi në përgjithësi, janë duke iu përgjigjur kërkesave të tij”.

“Çadra e Ibrahimoviçit për të gjithë”

Lidhur me treshen Ibrahimovic-Pioli-Maldini, Gazidis shpjegon: “Gjëja për të cilën jam shumë i lumtur është lidershipi që po tregojmë, jo vetëm Zlatan, i cili është padyshim si një çadër për të gjithë lojtarët. Unë mendoj se tifozët e Milanit po vlerësojnë një ekip në rritje, ku lojtarët tregojnë pasion dhe krenari, përkushtim total ndaj ekipit. Pastaj, sigurisht që kemi Stefano Pioli, i cili është treguar fantastik duke i bashkuar të gjithë këta lojtarë, me një ndjenjë të madhe uniteti dhe një qëllim unitar. Elementi i tretë i këtij triumvirati është Paolo Maldini, i cili përfaqëson më së miri klubin. Ai është Milani jo vetëm për atë që përfaqësonte në të kaluarën, por edhe për atë që është sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat