Laçi-Kukësi, Tirana udhëton në Ballsh, Partizani pret Apoloninë

Futboll

Laçi-Kukësi, Tirana udhëton në Ballsh, Partizani pret Apoloninë

Më: 9 janar 2021 Në ora: 11:56
Laçi-Kukësi, Tirana udhëton në Ballsh, Partizani pret Apoloninë

Kategoria Superiore nisi vitin e ri me përballjen Vllaznia-Teuta, që përfundoi me fitoren minimale 1-0 të shkodranëve, të cilët vijojnë të kryesojnë me meritë, me 29 pikë, ndërsa sot do të luhen edhe katër ndeshjet e tjera të javës së 13.

Për shkak të kushteve atmosferike dhe errësimit të shpejtë, Federata Shqiptare e Futbollit vendosi që tre nga ndeshjet e kësaj jave të startojnë në orën 13:30, pra 15 minuta më herët se orari i caktuar më herët, ndërsa përballja Partizani-Apolonia do të luhet nën ndriçimin e projektorëve, në orën 16:45.

Vëmendja maksimale do të jetë te përballja mes Laçit e Kukësit, me kurbinasit që janë zgjuar nën drejtimin e Shpëtim Duros dhe numërojnë 3 fitore në 5 ndeshjet e fundit, teksa kanë barazuar me pikë edhe verilindorët.

Nga ana tjetër verilindorët numërojnë 3 humbje në 5 javët e fundit dhe as dorëheqja e Skënder Gegës nuk solli kthesën e pritur. Përballja në Laç do të jetë mjaft interesante edhe për faktin se bëhet fjalë për dy skuadra që të paktën në letër janë ndërtuar për të synuar titullin.

Tirana ka harruar të fitojë, pasi ka mbyllur vitin me 4 barazime radhazi dhe do të kërkojë rikthimin te suksesi nga stadiumi “Adush Muça” i Ballshit, ku do të përballet me Bylisin vendas, që në këto javë të para ka shfaqur probleme dhe do të duhet të luftojë shumë për mbijetesën.

Bardheblutë kaluan disa ditë të komplikuara për shkak të një gjyqi të humbur, që solli pezullimin e merkatos nga FIFA, megjithatë çdo gjë u zgjidh dhe drejtuesit federuan menjëherë sulmuesin Taulant Seferi, ndërsa në ditët e ardhshme priten edhe afrime të tjera.

Megjithatë në pritje të blerjeve të reja, sot Dede do t’u besojë të njëjtëve futbollistë që kanë luajtur edhe javët e fundit, ndërsa përjashtim mund të bëjë Jurgen Çelhaka, i cili ka lënë pas dëmtimin dhe është gati të zbresë në fushë nga minuta e parë.

Një tjetër sfidë interesante është edhe ajo e Kamzës, mes Kastriotit dhe Skënderbeut, që gjithashtu do të startojë në orën 13:45. Krutanët kanë bërë mirë deri në këtë pikë të kampionatit dhe veçanërisht në shtëpi kanë ditur të marrin thuajse gjithmonë maksimumin.

Megjithatë Skënderbeu është plot 7 pikë larg krutanëve në renditje, ndaj një humbje në Kamëz do ta komplikonte luftën për mbijetesë dhe në kampin korçar e dinë mirë të gjithë që duhet të luftojnë shumë për të shmangur humbjen ndaj Kastriotit.

Në orën 16:45 në fushë do të zbresë Partizani i Ilir Dajës, që do të presë skuadrën e fundit në renditje, Apoloninë. “Të kuqtë” janë të dënuar të fitojnë ndaj fierakëve për të ruajtur ritmin e kryesuesve, me shpresën që nga merkatoja do të vijnë të tjerë elementë cilësorë, për të rritur konkurrencën në grup.

Me Vllazninë në kuotën e 29 pikëve, Partizani do të kërkojë suksesin edhe për të parakaluar Teutën në renditje, por edhe për të ngushtuar në 7 pikë diferencën me shkodranët.

Të gjitha ndeshjet do të transmetohen live dhe ekskluzivisht në ekranin e Supersport, ku nuk do të mungojë as emisioni I zakonshëm “Gol pas Goli” i moderatores Vilma Masha dhe të ftuarve të saj specialist e gazetarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat