Dyndje talentesh te Kombëtarja, sa shumë të rinj në garë për një fanellë

Futboll

Dyndje talentesh te Kombëtarja, sa shumë të rinj në garë për një fanellë

Më: 5 mars 2021 Në ora: 13:18
Dyndje talentesh te Kombëtarja, sa shumë të rinj në garë për një fanellë

Nga Molla te Broja, sa shumë debutues në Kombëtaren A për ndeshjet e tetorit. Si kurrë më parë Shqipëria nuk ka pasur kaq shumë lojtarë të talentuar që synojnë të arrijnë majat me Kombëtaren dhe të shkruajnë historinë e futbollit kuqezi

Pas rënies së diktaturës në fillim të viteve ‘90 shumë shqiptarë emigruan në vende të ndryshme të Europës. Me kalimin e viteve ata nisën të integroheshin plotësisht në vendet ku ishin shpërngulur dhe nisën të krijonin familjet e tyre jashtë kufijve të atdheut.

Pikërisht fillimi i viteve 2000 është pikënisja e një gjenerate të re për futbollin shqiptar me talente që janë lindur dhe formuar si futbollistë në vendet ku familjet e tyre kanë hedhur rrënjë. Janë talente që vijnë nga vende si Italia, Greqia, Gjermania, Anglia, Zvicër, etj.

Pothuajse të gjithë kalojnë përmes filtrit të krijuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, që ka ngritur zyra me përfaqësues të saj në të gjitha vendet e kontinentit ku jetojnë shumë familje shqiptare e të cilët janë përgjegjës për zbulimin e futbollistëve të rinj. Është shumë e rëndësishme që futbollistët të evidentohen që në moshë të vogël, pasi rreziku është i madh që ata të “rrëmbehen” nga kombëtaret e vendeve ku janë lindur e rritur.

Një shqetësim të tillë e kishte shprehur edhe trajneri kuqezi, Edoardo Reja në prag të nisjes së edicionit të Nations League vitin e kaluar, kur sapo kishte ftuar në Kombëtare një lojtar si Ramen Çepele, mbrojtësin 17-vjeçar të rritur tek Interi i Milanos, e që u transferua në Gjermani te Hanoveri. Një futbollist që ishte ndërkohë në xhiron e lojtarëve të kombëtares italiane të moshave.

“Është rasti i 17-vjeçarit që kam thirrur, kam folur me prindërit e tij, sepse ai ishte pjesë e kombëtares italiane dhe kemi pasur pak vështirësi që ta bindnim. Por Çepele është një lojtar që në të ardhmen mund të jetë i rëndësishëm për Shqipërinë.

Kam kërkuar dhe ende po kërkoj dhe kemi monitoruar në arenën ndërkombëtare edhe lojtarë të datëlindjeve 2004, 2005 edhe të 2006 që mund të jenë eventualisht pjesë e kombëtares. Por, dikush luan në Itali, dikush në Francë dhe lindin në këto vende, bëhet e vështirë kur i kërkohet nëse duan të bëhen pjesë e Kombëtares shqiptare.

Sepse presin fillimisht ftesën e vendit ku janë lindur. Por unë po punoj dhe mungon ende ndonjë emër tjetër në listë, sepse kam folur me disa prindër dhe me disa djem që luajnë në Itali dhe janë pjesë e kombëtareve italiane të moshave, të cilit nuk ua them dot emrat. Po punoj për momentin me këto emra dhe për të ardhmen disa edhe më të rinj. Ka shumë shqiptarë të rinj që luajnë në Itali, por jo vetëm. Edhe në Zvicër edhe në Gjermani, edhe në Angli ka lojtarë të mirë, të cilët kanë kombësi shqiptare dhe këto duhet t’ia afrojmë gradualisht me Kombëtaret tona”, – deklaroi tekniku italian në një nga konferencat e tij të fundit.

Risitë e Nations League – Kjo është edhe një nga arsyet pse lojtarët e talentuar po afrohen direkt në Kombëtaren e madhe dhe po u jepet mundësi ta provojnë veten në skenën e “të mëdhenjve”. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe vetë trajneri Reja teksa shpjegoi zgjedhjet e tij gjatë edicionit të kaluar.

“Ka qenë projekt i Federatës që në momentin që kam firmosur me Presidentin Duka që ne të ndërtojmë një skuadër që të synojmë Euro 2024. Projekti final ishte për të ndërtuar një skuadër kompetitive dhe dinjitoze për 2024. Kam menduar t’i jap hapësirë lojtarëve të rinj, kam marrë futbollistë si Molla, Broja, Vrioni, Doka, Selahi, Kallaku, Çokaj, Çekiçi, të cilët janë pak a shumë 20 vjeç dhe pas katër vitesh do jenë më të pjekur. Sigurisht, disa prej tyre unë i kam marrë edhe në ndeshjet e kaluara, por nuk janë aktivizuar. Në momentin që unë nuk i aktivizoj, është e kotë që t’i marr, t’i thërras dhe t’i lë në stol. Kështu që mendova se është një moment i mirë për t’i marrë dhe për t’i ingranuar gradualisht në skuadër dhe për t’i provuar”, – deklaroi asokohe tekniku.

Në ndeshjen e tetorit 2020 ndaj Kazakistanit në Nations League në listën e Kombëtares kishte plot 10 debutues. Duke filluar nga më i riu, Marco Molla, gjigantin 18-vjeçar të portës që aktivizohet me skuadrën U-19 të Bolonjas në Itali e për të vazhduar me Marash Kumbullën, yllin e merkatos së verës për të cilin Roma pagoi rreth 17 milionë euro për ta pasur në gjirin e saj. Në fakt kjo ishte ndeshja e parë e Kumbullës si titullar, edhe pse ishte ftuar në disa ndeshje të tjera në të kaluarën, por pa mundur të lërë shenjën. Bëhet fjalë për një lojtar që realizoi një sezon të shkëlqyer me Veronën në Seria A, duke tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha të Italisë. Dhe është vetëm 20 vjeç!

Për të vazhduar më tej me Albi Dokën, mbrojtësin e formuar te Tirana e që këtë sezon u transferua në Kroaci te NK Gorica. 23-vjeçari arriti të marrë ftesën e tij të parë në Kombëtaren A pasi kishte luajtur me të gjitha moshat, ashtu si edhe Jon Mersinaj. Mbrojtësi i Lokomotivës së Zagrebit ishte i pafat këtë herë pasi pësoi një dëmtim, por e ardhmja duket e ndritur për 21-vjeçarin. Më tej, lista vazhdon me Enis Çokajn, i cili gjithashtu luan te Lokomotiva e Zagrebit së bashku me Mersinajn, por edhe Sherif Kallakun, tjetër debutues. Që të tre lojtarë të rregullt me ekipet kombëtare të moshave e që tashmë kanë mundësinë të bëjnë hapin e madh të karrierës.

Në sulm, risitë për këtë radha ishin dy emra prej të cilëve pritet shumë: Armando Broja, 19-vjeçarin e rritur te Çelsi i Londrës dhe i huazuar momentalisht te Viteshe në Holandë. Një sulmues me të dhëna të shkëlqyera e që ka mundësi të rritet, pasi është ende shumë i ri. Tjetri është Giacomo Vrioni, i cili bëri bujë kur u transferua vitin e kaluar te Juventus U-23 dhe madje debutoi edhe në skuadrën e parë përkrah emrave si Ronaldo & Co. 21-vjeçari premton shumë për të ardhmen dhe së bashku mund të formojnë një dyshe ëndrrash.

Brezi i moshave – Por këto që përmendëm në fakt janë vetëm disa nga emrat e rinj në xhiron e Kombëtares e që u është dhënë mundësia për të treguar se sa vlejnë në Kombëtaren A. Në fakt, janë shumë herë më shumë të rinj të talentuar që militojnë në ekipet Kombëtare të moshave U-21, U-19, U-17, U-15, etj. Lojtarë kryesisht të rritur jashtë si mbrojtësi Geraldo Bajrami, mesfushorët Armando Dobra e Kristjan Asllani, sulmuesi Emiljano Bullari, të cilët janë aktualisht pjesë e Shpresave. Për të vazhduar më pas edhe me Albion Ademin në Finlandë, vëllezërit Agon dhe Arbnor Muçolli në Danimarkë, Dean Liço që është në pronësi të Lacios, etj.

Por ajo që vihet re është se ka edhe shumë lojtarë që janë rritur në klubet shqiptare e që po shkëlqejnë edhe në Kombëtaret e moshave. Mjafton të kujtojmë emra si Ernest Muçin, që u transferua pak ditë më parë nga Tirana për te Legia e Varshavës apo Marsel Ismajlgeci, Jurgen Çelhaka, Indrit Tuci, etj. Në fakt, këto janë frytet e investimeve që janë bërë në sektorin e moshave nga klubet që me ndihmën e Federatës Shqiptare të Futbollit kanë ndryshuar strategjitë e tyre dhe po u kushtojnë gjithmonë e më shumë rëndësi evidentimit dhe kultivimit të talenteve të reja.

Jo vetëm klubet, por edhe akademitë që janë hapur vitet e fundit po prodhojnë lojtarë mjaft të vlefshëm për futbollin e madh. Me të rinj e që përzgjidhen nga klubet e huaja dhe me talente që rriten në fidanishtet e klubeve e akademive shqiptare, ekipet kombëtare nuk vuajnë aspak për prurje të reja. Përkundrazi, tashmë mund të ketë probleme luksi për të përzgjedhur më të mirët e më të mirëve, duke vënë në pozitë të vështirë edhe shumë nga trajnerët kuqezi, të cilët nuk mund t’i kënaqin të gjithë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat