Agim Ademi: Më kujtohet si sot stadiumi i stërmbushur me tifozë 

Futboll

Agim Ademi: Më kujtohet si sot stadiumi i stërmbushur me tifozë 

Më: 5 mars 2021 Në ora: 14:21
Agim Ademi: Më kujtohet si sot stadiumi i stërmbushur me tifozë 

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, kujton datën historike të 5 marsit, kur Kosova zhvilloi ndeshjen e parë miqësore ndërkombëtare me Haitin,  e cila përfundoi baras (0:0) në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

“Në historinë e re të popullit tonë marsi ka shënuar kthesa të mëdha dhe data të rëndësishme. Një e tillë pa dyshim është edhe 5 marsi i vitit 2014, kur u zhvillua miqësorja ndërmjet Kosovës dhe Haitit, në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari”.

Kjo ishte ndeshja e parë zyrtare nën patronatin e FIFA-s dhe që shënoi kapitullin e ri për futbollin e Kosovës, duke e thyer përfundimisht izolimin e padrejtë prej më shumë se dy dekadash. Reshjet e shiut të asaj të mërkure ishin si shenjë bereqeti për futbollin tonë, i cili dy vjet më pas, përfundimisht arriti të bëhet pjesë e barabartë në familjen e madhe të futbollit evropian dhe botëror, UEFA e FIFA.

Image

Muharrem Sahiti dhe Agim Ademi

Më kujtohet si sot stadiumi i stërmbushur me tifozë. Një entuziazëm i paparë ndonjëherë në mesin e të gjithëve, por edhe një interesim i jashtëzakonshëm mediatik nga të katër anët e globit. Kjo ndeshje ishte një mundësi e artë për ta përçuar dashurinë e madhe të vendit tonë për futbollin dhe për t’ia dëshmuar botës se shumë gjeneratave në Kosovë iu mohua padrejtësisht shfaqja e talentit të tyre në garat ndërkombëtare.

Rezultati i kësaj ndeshje doli krejtësisht në plan të dytë, pa çka edhe emocionet tek secili futbollistë në fushë ishin të mëdha dhe natyrshëm, përkundër lojës shumë të mirë dhe rasteve të njëpasnjëshme, munguan golat.

Gjithsesi, kjo ndeshje përherë do të mbetet në kujtesën e secilit prej nesh që ishim pjesë e kësaj storie dhe do të shërbejë për gjeneratat e ardhshme si kujtim për sakrificën e shumë brezave, të cilët asnjëherë nuk rreshtën së luajturi futboll, pa marrë parasysh rrethanat dhe kushtet tejet të pafavorshme, veçmas në vitet e okupimit.

Prandaj, në këtë ditë të veçantë, dua t’i falënderoj fillimisht të gjithë futbollistët dhe punëtorët sportiv të kohës së rezistencës, por edhe të gjithë futbollistët të cilët nuk ngurruan për asnjë moment që t’i thonë “Po” Kombëtares së Kosovës, në kohën kur ende nuk ishim të pranuar ndërkombëtarisht.

Data si kjo gjithmonë do të na motivojnë për suksese në të ardhmen.
Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi!”, shkruan Ademi!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat