Kandidati për kryetar të FFK-së kërkon zgjedhje sa më të shpejta

Futboll

Kandidati për kryetar të FFK-së kërkon zgjedhje sa më të shpejta

Më: 27 prill 2021 Në ora: 11:52
Kandidati për kryetar të FFK-së kërkon zgjedhje sa më të shpejta

Në një kohë kur futbolli i Kosovës po ballafaqohet me probleme, mungesë rezultatesh të Kombëtares së Kosovës, e në anën tjetër me dhunë e eksese nëpër ndeshje futbollistike në rangje më të ulëta, e së fundmi edhe me kthimin e akuzave e dyshimeve për kurdisje të rezultateve në Superligë dhe Kupë, Nexhat Dumnica e shpalli kandidaturën e tij për president të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Madje, ish donatori kryesor i Llapit, e nisi këtë aventurë me shpresën që FFK-ja të shkojë në zgjedhje sa më shpejt që është e mundur, e të mos pritet viti 2022, deri kur Agim Ademi pretendon se ka mandat për ta udhëhequr FFK-në, mandat që i është kontestuar vit pas viti, prejse është zgjedhur.

“Inkurajoj Delegatët aktual të FFK që pas përfundimit të kampionatit aktual të iniciojnë procedurat për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm”, ka deklaruar Dumnica.

Për më tepër, ai nuk i frikësohet as konkurrencës. Dihet se në FFK gjithnjë zgjedhjet kanë lënë për të dëshiruar duke dal veç një kandidat nga FFK për kryetar, pa kundërkandidatë. Dhe, Dumnica bën thirrje për një garë sa më demokratike, sa më të hapur me sa më shumë kandidatë.

“Inkurajoj edhe personalitetet tjera të kandidojnë për të zgjedhur udhëheqësin me vlerat më të larta sportive, menaxheriale dhe njerëzorë”, thotë biznesmeni llapjan, i cili pretendon të këtë përkrahje të fortë në aventurën e tij të re.

“Ndihem i detyruar për shkak të situatës në të cilën po kalon FFK, por mbi të gjitha i vlerësuar dhe i respektuar që një pjesë e konsiderueshme e komunitetit të futbollit ka kërkuar kandidimin tim në rolin e Presidentit të këtij institucioni.

Pas konsultave me faktorë të rëndësishëm dhe grupe interesi që përfaqësojnë të gjitha kategoritë, moshat dhe gjinitë, vendosa të kandidoj i bindur se të gjith bashkë përfshirë dhe ju që nuk keni të drejtë vote të rrugëtojmë së bashku në rrugën sfiduese me problematikat aktuale në të cilat po kalon ky institucion”, ka potencuar Dumnica.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat