Real - PSG, rezultati nuk ishte ai që priste Florentino Perez

Futboll

Real - PSG, rezultati nuk ishte ai që priste Florentino Perez

Më: 8 shtator 2021 Në ora: 15:01
Real - PSG, rezultati nuk ishte ai që priste presidenti Florentino Perez

Më 1 shtator u mbyll zyrtarisht merkatoja e verës, por telenovela “Kylian Mbappe” do të vazhdojë derisa talenti francez të rinovojë kontratën ose të largohet nga PSG.

Negociatat midis Real Madridit dhe Paris Saint-Germain ishin të gjata dhe të vështira; klubi “merengues”, që e kërkonte me ngulm sulmuesin, rriti ofertën deri pranë shifrës 200 milionë euro.

Por rezultati nuk ishte ai që priste presidenti Florentino Perez, pasi ai nuk pati sukses dhe do të duhet të presë deri në janar për të parë nëse mund ta veshë Mbapenë me fanellën e bardhë. Kontrata e Kylianit me PSG do të përfundojë verën e ardhshme dhe atëherë Reali do të mund ta marrë falas, sigurisht nëse sulmuesi nuk do të kthejë mendje sa i përket rinovimit.

Presidenti i parizienëve, Al-Khelaïfi, ka vendosur të flasë për negociatat e gjata që shkaktuan kaq shumë dhimbje koke. Numri 1 i klubit të kryeqytetit francez, i pyetur se si ishte e mundur të refuzohej oferta e Realit, u përgjigj shkurt dhe prerë:

“E vetmja gjë që ka rëndësi është që klubi të respektojë “Fair Play-n Financiar”. Parisi po e respekton atë.”

Kjo përgjigje vjen pasi zbatimi i rregullave të “Fair Play-t nga PSG është vënë në pikëpyetje për shkak të shpenzimeve marramendëse për blerjet e shtrenjta dhe pagat e Leo Messit, Donnarummas, Sergio Ramosit, pa harruar shumat që përfitojnë Neymar dhe Mbappe.

Al-Khelaifi nuk jep shpjegime të mëtejshme se ku i gjen Parisi paratë për të përballuar këto shpenzime, por përgjigjja e tij e shkurtër është një lloj mesazhi edhe për ata kundërshtarë që kanë guxuar të hedhin akuza të drejtpërdrejtë për mënyrën sesi po ndikon në tregun e futbollistëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat