Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, zhvlerësohet goli jashtë fushe edhe në Ligën e Kombeve

Futboll

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, zhvlerësohet goli jashtë fushe edhe në Ligën e Kombeve

Më: 16 dhjetor 2021 Në ora: 17:48
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, zhvlerësohet goli jashtë fushe edhe në Ligën e Kombeve

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s zhvilloi këtë të enjte përmes video-konferencës mbledhjen e radhës, ku u diskutuan çështje të ndryshme në lidhje me futbollin europian, që nga strategjia e re për futbollin e deri te rregulloret e reja të kompeticioneve.

Në këtë mbledhje, ku ishte i pranishëm edhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në cilësinë e anëtarit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s,u miratua strategjia e re 2030 për qëndrueshmërinë e futbollit “Strength through Unity”, që ka si qëllim të mobilizojë të gjithë federatat anëtare, ligat dhe klubet rreth një qasjeje të përbashkët, në mënyrë që të investohet në prosperitetin e ardhshëm të futbollit.

Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s vendosi në këtë mbledhje të përditësojë Planin Europian të Rimëkëmbjes së Futbollit të Klubeve që synon të përdorë të ardhurat e UEFA-s nga garat e klubeve si siguri për t’i lejuar klubeve europiane akses në likuiditet gjatë viteve në vijim.

KE-ja u njoh edhe me një përditësim mbi rregulloret e fair-play-t financiar dhe nevojën për t’i rishikuar ato, për të adresuar sfidat e reja dhe për të përmirësuar qëndrueshmërinë financiare të klubeve europiane të futbollit që janë prekur rëndë nga pandemia, teksa u diskutuan një sërë masash.

Gjithashtu, në këtë mbledhje u vendos që Portugalia të mirëpresë finalet e UEFA Women’s Futsal EURO në marsin e vitit 2022 ndërsa Federata e Letonisë do të mirëpresë ndeshjet finale të UEFA Futsal Champions League që do të zhvillohen në pranverën e ardhshme në Arena Riga.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe mbi rregulloren e kompeticioneve, ku edhe në ndeshjet play-off të Ligës së Kombeve 2020-2021, që do të luhen në muajin mars të vitit 2022, KE-ja miratoi heqjen e rregullit të golit të shënuar në fushë kundërshtare ashtu sikurse edhe për play-off-et e Kampionatit Europian U-21 2023, që do të luhen në shtatorin e vitit 2022.

Gjithashtu, për shkak të pandemisë, për Kampionatin Europian të Futsallit për meshkuj që do të luhet në Holandë dhe për Kampionatin Europian të Futsallit për femra 2022, do të zbatohen rregulla të veçanta, ashtu sikurse në dy kompeticionet e tjera të UEFA-s (EURO 2020 dhe finalet e UEFA Nations League). Rregulla speciale do të aplikohen edhe për kualifikueset e europianit për Kupën e Botës në Futsall 2024.

Komiteti i mbledhur sot miratoi edhe Rregulloret Mjekësore të UEFA-s, që priten të hyjnë në fuqi më 1 korrik të vitit të ardhshëm. Mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv do të zhvillohet në Nion të Zvicrës, më 22 mars 2022.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat