Kinostudio, Teuta & Atletik Club kalojnë në çerekfinale

Futboll

Kinostudio, Teuta & Atletik Club kalojnë në çerekfinale

Më: 16 janar 2022 Në ora: 20:11
Kinostudio, Teuta & Atletik Club kalojnë në çerekfinale

Janë zhvilluar këtë fundjavë tre ndeshjet e turit paraeliminator të vlefshme për Kupën e Shqipërisë për femra, ku janë përcaktuar edhe tre ekipet çerekfinaliste të këtij sezoni.

Kinostuio, Teuta dhe Atletik Club janë tre skuadrat që i bashkohen Vllaznisë, Apolonisë, Tiranës, Partizanit dhe Murlanit në çerekfinalen e këtij kompeticioni.

Në përballjen e së shtunës mes Kinostudios dhe Lushnjes, kryeqytetaset dominuan dhe fituan me manita ndaj myzeqareve. Serinë e golave për Kinostudion e hapi Kadiolli që në minutën e tetë, teksa shtatë minuta më vonë shënoi edhe Tori që dyfishoi shifrat.

Fraksioni i parë i lojës u mbyll në avantazhin e vajzave të kryeqytetit, që edhe pjesën e dytë e nisën sërish me gol, teksa kësaj radhe ishte Doce ajo që realizoi golin e tretë. Golin e vetëm për lushnjaret e shënoi Çemeri në minutën e 65-të të takimit. Pak minuta para përfundimit të lojës, Kadiolli shënoi edhe golin e dytë personal dhe të katërtin për skuadrën, teksa në minutën e 86-të, Cyme Lulaj realizoi golin e pestë dhe të fundit për Kinostudion, që kalon kështu në fazën tjetër të Kupës së Shqipërisë.

Sakaq, ditën e sotme u zhvilluan edhe dy ndeshjet e tjera. Drejt qytetit bregdetar të Durrësit udhëtuan vajzat e Skënderbeut, që u mundën me shifrat 5-0 nga ekipi i Teutës. Bregdetaret shënuan dy gola të shpejtë në pjesën e parë, me Ndrelalaj dhe Malaj, teksa në 45 minutëshin e dytë shënuan edhe Bushi, Gjyriqi dhe Disha. Një fitore e madhe kjo për vajzat e Teutës, të cilat dominuan dhe fituan, duke siguruar kështu biletën për në çerekfinale.

Një ndeshje mjaft e fortë u zhvillua në Shkodër, mes Atletik Club dhe Tirana AS, ku koha e rregullt e sfidës u mbyll në barazimin 2-2 dhe skuadrat iu drejtuan minutave shtesë për të përcaktuar fituesin e kësaj ndeshje. Tirana AS hapi sfidën që në minutën e 8-të, me Palaj e cila kaloi në avantazh kryeqytetaset, teksa Armoku barazoi shifrat në minutën e 17-të.

Mema realizoi edhe golin e dytë për Tirana AS, me skuadrat që u drejtuan në dhomat e zhveshjeve me rezultatin 1-2. Blutë e kryeqytetit arritën të fitonin një penallti, që nuk u shfrytëzua mirë nga Koldashi në minutën e 79-të, e cila humb mundësinë për të trefishuar shifrat. Kur thuajse gjithçka kishte mbaruar, Markaj gjen golin e barazimit për shkodranet dhe e dërgon lojën në shtesë. Pak minuta para se të mbyllej edhe fraksioni i dytë i shtesës, Iris Armoku shënon golin e tretë për Atletik Club duke i dhënë kështu fitoren ekipit shkodran, që kalon në fazën çerekfinale së bashku me Kinostudion dhe Teutën.

Rezultatet e ndeshjeve:

Kinostudio 5-1 Lushnja

Teuta 5-0 Skënderbeu

Atletik Club 3-2 Tirana AS

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat