Miliona euro nga FIFA për “shërimin” e futbollit shqiptar nga Covid-i, ku “avulluan”?

Futboll

Miliona euro nga FIFA për “shërimin” e futbollit shqiptar nga Covid-i, ku “avulluan”?

Më: 20 janar 2022 Në ora: 11:30
Miliona euro nga FIFA për “shërimin” e futbollit shqiptar nga Covid-i, ku “avulluan”?

Shpesh herë jemi mësuar që në vendin tonë paratë të mos arrijnë në destinacionin përfundimtar ose të bëjnë “firo” gjatë rrugës. Shpesh kemi dëgjuar për miliona që vijnë nga jashtë për një kuazë të caktuar, por asnjëherë nuk ka pasur transparencë nga organet e dorës së parë.

Kjo “sëmundje” nuk lë jashtë edhe organet e futbollit në Shqipëri, ku FIFA nuk ka ngurruar ta “ushqejë” futbollin tonë me miliona, por çuditërisht ai vazhdon të mbetet i “uritur”.

Një investigim nga Panorama Sport zbulon se FSHF ka marrë plot 2.1 milion euro nga FIFA në kuadër të ringjalljes së futbollit në vend pas krizës së Covid-19, të cilat nuk dihet ku kanë “avulluar”.

Që në momentin kur futbolli u ndal në të gjithë botën në mars të vitit 2020, goditja që mori ky sport ishte mjaft e rëndë, pasi klubet humbën të ardhurat direkte e indirekte nga tifozët.

Kështu, FIFA veproi me shpejtësi dhe bëri të ditur se një pjesë e fondeve që ajo lëvronte për federatat, do të kishin si destinacion “shërimin” nga COVID-i të futbollit, duke ndihmuar aktorët e saj që ishin në vështirësi.

Një pjesë e fondeve të projektit “FIFA Forward 2.0” të FIFA-s u lejuan që të ndryshonin destinacion për të ndihmuar komunitetin e futbollit.

Kështu, federatave iu lëvruan në mënyrë të menjëhershme paratë që mbeteshin për të tërhequr nga cikli i këtij projekti, me një pjesë që shkuan si destinacion në planin “e shërimit” nga COVID-i.

FSHF përfitoi 600 mijë dollarë nga cikli 2019-2020, falë kësaj platforme të FIFA-s, fond i cili është tërhequr siç tregojnë bilancet financiare të organizatës ndërkombëtare, të publikuara në maj 2021.

Por jo vetëm kaq. FIFA bëri të ditur se kishte përgatitur një tjetër paketë shpëtimi, prej 1,5 milionë dollarësh, të cilën federatat anëtare mund ta përdornin për të njëjtën arsye.

Nga kjo paketë, 500 mijë dollarë duhet të kishin specifikisht si destinacion futbollin e femrave. Sipas dokumenteve të publikuara nga FIFA në maj 2021, FSHF ka tërhequr deri në dhjetor 2020 shumën 1 milion dollarë nga kjo paketë – përfshirë plotësisht shumën për futbollin e femrave – dhe duhet të tërhiqte edhe 500 mijë dollarë të tjerë nga ajo që është cilësuar nga FIFA si Etapa 3 e planit të shërimit të futbollit nga COVID, përsëri pjesë e projektit “FIFA Forward 2.0”.

Pra, në total, futbolli shqiptar përfitoi nga FIFA 2,1 milionë dollarë për të përballuar krizën e COVID-19, nga të cilat 1,6 milionë të tërhequra brenda vitit 2020 dhe 500 mijë dollarë që i mbeteshin për t’u tërhequr gjatë vitit 2021.

KU KANË PËRFUNDUAR PARATË?

Kjo është pyetja 1-miliondollarëshe ose më saktësisht 2,1-miliondollarëshe që i duhet drejtuar FSHF-së. Kjo e fundit, si përgjigje ndaj krizës së COVID-19, vendosi të jepte “rroga lufte” për disa nga anëtarët e saj.

U caktua një rrogë prej 30 mijë lekësh për futbollistë, trajnerë, gjyqtarë apo edhe zyrtarë klubesh të cilët nuk kishin të ardhura të tjera përveç atyre të siguruara nga futbolli.

Një paketë të cilën presidenti Duka e shpjegoi si të krijuar nga “kontributi i vetë administratës së federatës, kontributi i stafit të ekipit kombëtar, duke filluar nga trajneri i ekipit kombëtar Edi Reja dhe stafi i tij”.

Për dy muajt që u dha kjo paketë financiare, FSHF ka shpenzuar në total 71 milionë lekë, siç konfirmoi zyrtarisht sekretari i përgjithshëm i institucionit, Ilir Shulku, në asamblenë e fundit të përgjithshme në qershor 2021.

Pra, rreth 600-650 mijë dollarë, që nuk justifikojnë kurrsesi të ardhurat e siguruara nga FSHF nga fondet e lëvruara nga FIFA.

Edhe nëse paratë e ndërkombëtarëve do të ishin përdorur për paketën e sipërpërmendur të FSHF-së, diferenca është jashtëzakonisht e madhe dhe ngre përsëri pikëpyetjet e zakonshme rreth mënyrës se si institucioni i futbollit kanalizon sipas dëshirës të ardhurat që siguron nga jashtë me një transparencë zero.

Parà të cilat në të vërtetë kanë destinacion aktorët e futbollit e askënd tjetër.

Abuzimi me fonde të tilla, për më tepër në një periudhë krize të paprecedent, tregon edhe një herë se diçka nuk funksionon siç duhet brenda institucionit të futbollit, pasi historia thjesht përsërit vetveten.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat