Sipas Komisionit të KOK-ut, volejbolli e karateja superfuqi në Kosovë! Futbolli në bisht të çiftelisë!

Futboll

Sipas Komisionit të KOK-ut, volejbolli e karateja superfuqi në Kosovë! Futbolli në bisht të çiftelisë!

Nga: Kemajl Goca Më: 1 shkurt 2022 Në ora: 13:36
Kosova

Javën që e lamë pas përkatësisht të premten federatat e mëdha e përjetuan rëndë renditjen e tyre në kategorizimin që u bë nga komisioni i KOK-ut. Futbolli, basketbolli, hendbolli por edhe atletika, kick-box-i e disa sporte tjera, nuk e pritën mirë renditjen e tyre. Federata e Futbollit e Kosovës, me president Agim Ademi, po e shqyrtojnë edhe tërheqjen nga Komiteti Olimpik i Kosovës sepse nuk mund ta durojnë faktin se janë lënë aq poshtë apo siç thonë në bisht të çiftelisë. Sipas Komisionit të KOK-ut, sipas renditjes, volejbolli e karateja janë superfuqi në Kosovë!

FFK u rendit në vend të gjashtë në kategorinë A, renditja më katastrofë në historinë futbollit pas luftës sa i takon kategorizimit. 

Futbolli e ka shikueshmërinë, masivitetin, cilësinë, përveç kësaj e kanë edhe ndërtesën e vet! Po ashtu edhe basketbolli i ka të gjitha, janë në një objekt sipas standardeve ndërkombëtare, pa e lënë anash edhe hendbollin që nuk qëndron keq me zyre për dallim nga volejbolli që ka vetëm një zyre po ashtu edhe karateja. 

Basketbolli është në vend të pestë përkundër gjithë atyre aktiviteteve në vitin 2021, sidomos me kombëtaret e grupmoshave të reja, ngecën çuditërisht! Hendbolli nuk e ka përjetuar mirë por disi iu rehatua zemra pasi që janë para basketbollit dhe futbollit, por të trishtuar deri në pikën e fundit që mbeten pas volejbollit!  

Këta janë emrat e pesë anëtarëve të Komisionit për kategorizim: Gazmend Maxhuni, Agron Mala, Shqipe Bajçinca Brestovci, Jeton Beqiri dhe Bujar Turjaka.

Komiteti Olimpik i Kosovës ka reaguar të premten në mbrëmje duke dhënë edhe arsyet e tyre.

“Me këtë rast, KOK konsideron se i gjithë vlerësimi i komisionit, si në rastin e futbollit, ashtu edhe të të gjitha federatave tjera, është bazuar në Rregulloren 04/2018 për Kategorizimin e Sporteve.

Federatës së Futbollit të Kosovës, i janë vlerësuar të gjitha pikët, në të cilat ka pasur dëshmi, ndërsa nuk i janë vlerësuar dy pikë tek pika e 14-të “Kriteret e ngritjes së kapaciteteve”, me ç’rast nuk ka sjell dëshmi të posedimit të Planit Strategjik, ashtu siç e parasheh Neni 14, Pika 1.1 dhe 2 e Rregullores. 

E njëjta dëshmi i është kërkuar federatës, edhe pas shqyrtimit të dokumentacionit, por që as herën e dytë nuk është sjell!
Po ashtu, krahas futbollit, sportet si basketbolli dhe hendbolli, komisioni të dyja këto sporte i ka vlerësuar deri në katër pikë më shumë krahasuar me vlerësimin e fundit. KOK gjithashtu informon të gjitha palët e pakënaqura me vlerësimin, se ankesat mund t’i dërgojnë në afat prej tetë ditësh, pas dërgimit të raportit në detaje, ankesa këto që do të shqyrtohen nga komisioni i ankesave”,
ka reaguar mes të tjera KOK-u.  Ish kryetari i Komitet Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka thënë se disa sportet futen me automatizëm.

 “Rregullorja është e përpiluar nga përfaqësuesit e MKRS-së dhe të KOK-ut dhe në parim është rregullore e mirë!

Mirëpo, gjate zbatueshmërisë është dëshmuar se duhet të pësojë ndryshime!
Ndryshimet, gjatë viteve të kaluara janë propozuar nga Komisioni për kategorizim dhe janë miratuar nga BE dhe janë nënshkruar nga Ministri! 

Në dy vitet e fundit është biseduar për ndryshime të sërishme! 

Federatat që kanë psh mbi 6.000 sportistë automatikisht të marrin maksimumin e pikëve dhe Federatat, sportistët e të cilave, marrin medalje Olimpike, automatikisht të marrin maksimumin e pikëve! 

Nuk e di pse nuk kanë proceduar me këto ndryshime”, ka thënë Hasani për gazetën kombëtare “Bota sot”.

“Është nder për çdo Komitet Olimpik ta ketë Federatën e Futbollit pjesë të saj.

Futbolli gjithkund në botë është industri.

Në Kosovë rreth 30 mijë njerëz janë pjesë e futbollit. Në botë futbolli është sporti numër 1 dhe nëse e shohim në këtë aspekt ai kategorizim nuk është i mirë. FFK e ka moti strategjinë me UEFA-n me FIFA-n, por ndoshta është bërë ndonjë gabim.  
Unë mendoj se xhudo me mirëkuptimin e të gjithëve duhet të jetë jashtë konkurrimit, sepse është sport që na ka bërë krenar. Sidoqoftë, nëse futbolli është i parëndësishëm për KOK-un, atëherë tërhiqemi, por nëse është i rëndësishëm duhet të jemi aty ku e kemi vendin”,
ka theksuar presidenti i FFK-së në emisionin “Ekipi A” në ATV. Atletika sërish është e pakënaqur dhe sipas tyre, meritojnë të janë më lartë.

Fakti më interesant është Federata e Kick-Box-it, lere që është në Kategorinë D por edhe mbetet pas Federatës Sportive të Punëtorëve të Kosovës! Federatat e kanë të drejtën e ankesës për tetë ditë, a do të ketë përmbysje të renditjes sidomos në Kategorinë A? Futbolli kërkon të jetë në vend të dytë në kategorizim, ndryshe pritet të tërhiqen.  Disa federata që nuk dalin publikisht, thonë se ky kategorizim u bë në bazë të “shoqërisë dhe kthimit të borxhit me vota”!.    

Kategoria A

Federata e Xhudos e Kosovës 83.35 
Federata e Volejbollit e Kosovës 79.56
Federata e Karatesë e Kosovës 78.501
Federata e Hendbollit e Kosovës 78.093
Federata e Basketbollit e Kosovës 78.05
Federata e Futbollit e Kosovës 76.61

Kategoria B

Federata e Boksit e Kosovës 65.16
Federata e Mundjes e Kosovës 65.14
Federata e Sportit Shkollor e Kosovës 64
Federata e Atletikës e Kosovës 62,6117
Federata e Pingpongut e Kosovës 60.33
Federata e Notit e Kosovës 54.68
Federata e Gjimnastikës e Kosovës 53.03
Federata e Tenisit e Kosovës  51.42

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat