Skandali/ Armand Duka trefishon pagat e besnikëve të tij në FSHF - lista me rrogat e çmendura

Futboll

Skandali/ Armand Duka trefishon pagat e besnikëve të tij në FSHF - lista me rrogat e çmendura

Më: 3 shkurt 2022 Në ora: 13:41
Armand Duka.

Në një kohë që Federata Shqiptare e Futbollit nuk ka kryer asnjë investim të rëndësishëm për futbollin në Shqipëri, drejtuesit e saj mendojnë të 3-fishojnë rrogat e tyre. 

Sikur mos të mjaftonte skandali për zhdukjen e 2.1 milionë eurove të fondeve të FIFAs, të tjera abuzime dalin në pah duke nxjerrë në pah mënyrën se si shpërdorohen paratë nga Federata Shqiptare e drejtuar nga Armand Duka.

Drejtuesit më të lartë të FSHF-së, që janë njëkohësisht edhe njerëzit më besnikë të Armand Dukës, kanë trefishuar këtë vit rrogat e tyre, duke kaluar jo vetëm pagat e Presidentit dhe të Kryeministrit, por që do ua kishte zili edhe Presidenti I UEFAs, Ceferin, apo ndonjë drejtues tjetër i lartë në UEFA dhe FIFA.

Ajo që bie në sy është se rritja e pagave ka ndodhur në një kohë që Armand Duka po i angazhon ata për rizgjedhjen e tij në krye të FSHF edhe për 4 vite të tjera.

Në majën e listës me rrogat e çmendura është Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku. Rroga e tij është 16 milionë lekë të reja në muaj, nga 5,2 milionë lekë që e ka pasur në janar 2021, sipas dokumentit që doli në media. Në këtë mënyrë, ai është edhe personazhi i sportit me rrogën më të lartë në këtë listë që, edhe si futbollist, ndoshta nuk do ta kishte marrë kurrë.

Drejtoresha e Burimeve Njerëzore në FSHF, Edlira Jaupaj, nga 3 milionë lekë në muaj, që ia kishte caktuar vetes deri në prill 2021, këto muaj e ka çuar në 9.3 milionë lekë.

Nuk mbetet pas as drejtori i zyrës ligjore, Aldi Topçiu, që këto ditë e kemi parë duke mbrojtur me çdo kusht shefin e tij Armand Duka. Arsyeja qenka e thjeshtë. Me sa duket, Duka ka vendosur që ta shpërblejë edhe atë për besnikërinë duke ia rritur rrogën në mbi 8 milionë lekë në muaj, nga 2.3 milionë lekë që e ka pasur në prill.

Në këtë betejë të vështirë dhe me organet e drejtësisë që kanë filluar punën për hetimin e abuzimeve në FSHF dhe skandalit të zhdukjes së 2.1 milionë eurove, Duka ka vendosur që t’i rrisë pagën edhe kontabilistes, që kujdeset që gjithçka me faturat dhe bilancet të jetë “ok” nga ana formale. Irma Zëre, nga 1.9 milionë që është paguar deri në prill, sipas listës së bërë publike në media, mësohet se tashmë merr 7.37 milionë lekë.

Edhe Erand Ibrahimi, specialist për strukturat organizative ka pësuar rritje rroge. Nga 1.9 milionë qe e ka pasur, tashmë ai e ka 7 milionë lekë, pra më shumë se 3-fishin e rrogës së mëparshme.

Edhe Marjus Sulejmani, me detyrë po specialist për strukturat organizative ka pësuar trefishim page nga Duka. Nga 1.26 milionë që e ka pasur, tashmë Armand Duka ia ka çuar besnikut të tij në 6.2 milionë lekë

Nuk mbetet pas as Andi Verçani, që ashtu sikurse Aldi Topçiu janë bërë dy “avokatët mediatikë” të Dukës, për rizgjedhjen e tij me çdo kusht edhe për një mandat të gashtë në krye të FSHF-së. Nga 1.3 milionë që e ka pasur në prill, Armand Duka ia ka rritur në 6.2 milionë lekë në muaj.

Rritje pagash kanë pësuar dhe emra të tjerë të cilët po merren me manipulimin e procesit të zgjedhjeve brenda FSHF-së duke punuar në favor të Armand Dukës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat