“Krenar që jam pjesë e Kombëtares”, dashuria e Seferit për ngjyrat kuqezi: Ne shqiptarët e Maqedonisë jemi tifozët më të mëdhenj

Futboll

“Krenar që jam pjesë e Kombëtares”, dashuria e Seferit për ngjyrat kuqezi: Ne shqiptarët e Maqedonisë jemi tifozët më të mëdhenj

Më: 13 shkurt 2022 Në ora: 17:27
Taulant Seferi

Taulant Seferi është njeriu kyç i Tiranës së Orges Shehit. Sulmuesi shqiptar udhëheq listën e golashënuesve dhe ka një meritë të madhe për faktin se bardheblutë kanë nisur të marshojnë bindshëm drejt titullit kampion. 

Në një intervistë të gjatë për mikrofonin e emisionit “Sport Magazine” të moderuar nga Drilon Xhepollari dhe të transmetuar në “Ora News”, 25-vjeçari ka rrëfyer gjithçka sa i përket aventurës së tij në kryeqytet, problemet që e kanë penguar te Young Boys-i, ëndrrat për të ardhem si dhe për Kombëtaren kuqezi.

Çfarë e pengoi te Young Boys

“Sapo ika nga Rabotniçki. Kur e bën një hap aq të madh, është një ndryshim i madh. Nuk e kam menaxhuar veten, sepse isha i ri, dhe nuk kisha njerëz afër. Nuk kisha atë ndihmën e parë në anën profesionale. Për këtë e kam pak peng. Sa ika atje fillova të jepja maksimumin dhe u dëmtova. Qendrova jashtë për 3 vite. Kjo më ka stepur në anën profesionale si futbollist dhe për këtë arsye kam qenë vetëm i huazuar. Por nuk dyshoj në aftësitë e mia dhe kisha pasur mundësinë të merrja më të mirë. Do kisha pasur mundësinë të luaja edhe në Young Boys pa problem. Do e kisha menaxhuar situatën më mirë në anën profesionale. Do e besoja veten më shumë, sepse në atë kohë humbi vetëbesimi dhe kjo është gjëja kryesore te një lojtar. Por me punën që kisha bërë unë do kisha luajtur edhe te Young Boys pa problem”.

Problemet me përshtatjen te Tirana

“Unë erdha këtu si një lojtar i madh për të ndihmuar klubin. Por siç e kam thënë në intervistën time të parë për Tiranën në prezantimin tim: “Kam ardhur këtu për të më ndihmuar Tirana mua, por edhe për të ndihmuar unë Tiranën”. Unë nuk kisha luajtur fare për 6 muaj dhe nuk isha në formën time ideale. Besoj që për këtë gjë më kanë kuptuar edhe njerëzit, edhe drejtuesit e klubit Këtë sezon e kanë kuptuar kush jam unë”.

Ekipet më të vështira për t’i shënuar

“Më shumë që ka pasur vështirësi dhe nuk i kam bërë gol ka qenë ekipi i Laçit, sepse atje në Laç nuk ka qenë dita jonë më e mirë. Më shumë më ka mbetur peng që nuk i kam bërë gol Partizanit. Shpresoj që në ndeshjet e radhës përse të mos shënoj”.

Diferencat mes kampionatit zviceran dhe atij shqiptar

“Nuk do të thoja që janë shumë të mëdha. Këtu është një kampionat shumë agresiv dhe kjo më pëlqen shumë, sepse ka duele të forta. Atje është më shumë taktikisht futbolli. Futbollin e dallojnë edhe infranstruktura dhe kushtet që janë atje në Zvicër. Por kohët e fundit Shqipëria ka përparuar shumë dhe për lojtarë të rinj është trampolinë shumë, shumë e mirë për të ardhmen. Për këtë arsye nuk kam hezituar fare dhe kam ardhur direkt në Shqipëri. E di se është një kampionat shumë i fortë dhe e ndjekin shumë këtë kampionat“.

Objektivat

“Pikë së pari objektivi im është që këtë sezon të arrijmë më të mirën e mundshme. Me lejen e Zotit të arrijmë objektivat individuale dhe të gjithë si ekip. Pastaj të bëj hapin tjetër që duhet bërë në karrierë. Ëndrra ime është të arrij të luaj ose në Serie A, ose në Bundesligë. Shpresoj që në një të ardhme të shpejtë ta arrij ëndrrën time”.

Kombëtarja

“Kombëtarja po përmirësohet shumë e më shumë. Ka lojtarë cilësorë. Do bëj maksimumin për të qenë pjesë e Komëbtares. Është një gjë e madhe dhe jam shumë i lumtur dhe krenar që jam pjesë e Kombëtares. Siç e dini, kohët më përpara kemi pasur pak konflikte me palën maqedonase. Kemi pasur probleme politike. Ne shqiptarët e Maqedonisë e ndjejmë veten shqiptarë dhe padyshim që janë mbështetësit më të mëdhenj të Kombëtares. Është e vërtetë që e kanë një ndjenjë shumë ndryshe dhe me shumë emicion e shohin ndeshjen. Edhe unë kur kam qenë i ri, e kam parë Kombëtaren shqiptare me shumë emocion dhe shumë dashuri. Atë ndjesi ma kanë dhënë edhe njerëzit që jetojnë në Maqedoni”, ka deklaruar Taulant Seferi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat