Mehmeti: Vllaznia të lë të luash, ia dalim me tifozët

Futboll

Mehmeti: Vllaznia të lë të luash, ia dalim me tifozët

Më: 30 mars 2022 Në ora: 11:37
Mehmeti: Vllaznia të lë të luash, ia dalim me tifozët

Partizani është gati për sfidën e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. “Demat” presin Vllazninë të enjten (17:45) në “Elbasan Arena”, sfidë që do të transmetohet në Supersport dhe për të cilën foli trajneri Dritan Mehmeti në konferencën për shtypin.

“Pushimi të ndihmon për aspektin fizik dhe mental. Skuadra është përgatitur mirë. Në ndeshjen e fundit bëmë mirë si volum lojë, por nuk finalizuam. Skuadra duhet të gjejë forcë të ndryshojë në 20 metrat e fundit.

Statistika janë për t’u thyer, kundërshtarin e vlerësojmë për vlerat që ka. Janë dy ndeshje, duhet me patjetër të jemi në ekuilibër. Kemi dy mundësi. Skuadra duhet të jetë e qetë dhe pragmatiste.

Tifozeria jonë është lojtari i 12-të. Ne kemi shumë nevojë për ta, nuk ia dalim pa ta. Ata na japin entuziazëm. Shpresoj që tifozët të na kuptojnë dhe të na mbështesin.

E njoh Plorin, ai ka qenë në stafin e Brdaric. Mendoj se do të ketë pak ndryshime, ai nuk ka pasur shumë kohë për të injektuar filozofinë e tij. Do të marrim masa, do të përgatitemi për gjithçka.

Si Cara dhe Marku luajtën 90 minuta me Shqipërinë U21, kanë akumuluar shumë ngarkesa. Edhe Rrapaj është dëmtuar te Shqipëria U21, mendoj se ka ndikuar pak, por nuk do nxjerrim justifikime për mungesat, nuk do trembemi.

Mbrojtja? Kërkoj që skuadra të jetë agresive. Skuadra të jetë cinike, nuk mund të shpërdorojë shumë në metrat e fundit. Unë i kuptoj lojtarët që nuk finalizojnë një penallti ose rast të thjeshtë. I mbështes, por këmbëngul që ata të jenë më profesionistë në stërvitje, që të mos përsëriten situata të tilla.

Të tilla ndeshje duhet të përgatiten në aspektin mental. Mundësia e dy ndeshjeve të jep një bonus më tepër. Mundohem të jap maksimumin te skuadra ime. Nisem duke parë se si luan kundërshtari, marr masa për cilësitë e tyre të mira, por edhe ta godas. Duhet të fokusohemi te vetja nesër.

Lojtarët nuk merren me statistika, rëndësi ka si do e përballojmë aspektin emocional. Kam punuar me skuadrën në aspektin psikologjik. Të japim maksimumin dhe të fitojë më i miri.

Nuk mund ta paragjykoj ndeshjen. Ne do bëjmë ndeshjen tonë nesër, nuk do mendojmë për ndeshjen e ardhshme. Vllaznia të lejon të luash futboll, ata bëjnë një lojë atraktive. Do mundohemi t’i japim ritëm ndeshje dhe të dominojmë.

Ndeshja mund të spostohej në një datë tjetër, pasi nuk jemi të barabartë. Kemi tre mungesa. Duhet të ishte spostuar ndeshja, nuk më takon mua të flas në lidhje me sa i aktivizon trajneri i Shpresave lojtarët e mi”, përfundoi trajneri i Partizanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat