Klop dhe Salah i fusin frikën Realit, Benzema për rekordin e CR7-ës/ Ja pikantet e finales së Parisit

Futboll

Klop dhe Salah i fusin frikën Realit, Benzema për rekordin e CR7-ës/ Ja pikantet e finales së Parisit

Më: 28 maj 2022 Në ora: 07:28
Liverpool, Real Madrid

Vetëm pak orë kanë mbetur nga finalja e madhe në Ligën e Kampioneve mes Liverpulit dhe Realit të Madridit. Në Paris janë të gjithë gati, ndërsa edhe pak orë dhe fjalën do ta marrin skuadrat në fushë.

Por deri atëherë, finalja luhet edhe nëpër media. E kur flitet për finale, natyrisht që shifrat janë ato që ngacmojnë jo pak kureshtjen. Gazeta spanjolle “Mundo Deportivo” ka renditur ato që i cilësuar si dhjetë nga të dhënat më pikante në lidhje me finalen e madhe të Parisit mes Liverpulit dhe Realit të Madridit.

FINALJA MË E SHPESHTË – Liverpuli dhe Reali i Madridit do të takohen për herë të tretë mes tyre në finalen e Kupës së Kampioneve/Ligës së Kampioneve. Ky është çifti që më shpesh është përballur në finalen e këtij kompeticioni. Liverpuli fitoi finalen në vitin 1981, ndërsa Reali atë të vitit 2018.

HISTORI E PAARRITSHME – Në rast të një suksesi kundër Liverpulit, Reali do të garantonte titullin për herë të 14-të në historinë e tij ose sa dyfishi i ndjekësit të tij më të afërt, Milani (7). “Los Blancos” nuk kanë humbur asnjë nga 7 finalet e fundit në Ligën e Kampioneve. E fundit skuadër që e ka mundur ka qenë Liverpuli po në Paris në vitin 1981 me një gol të Alan Kenedit.

KLOP DHE REALI – Reali i Madridit është kundërshtari me të cilin Jurgen Klop, aktualisht trajner i Liverpulit, është përballur më shpesh në Champions (9 herë). Klop ka fituar 3 takime, ka barazuar 2 dhe humbur 4 të tjerë.

ANÇELOTI “MISTER CHAMPIONS” – Trajneri italian do të kërkojë të fitojë për herë të katërt Ligën e Kampioneve, gjë që nuk e ka bërë asnjë trajner në historinë e këtij kompeticioni. Ai e ka fituar në vitin 2003 dhe 2007 me Milanin dhe në vitin 2014 me Realin e Madridit. Ançeloti ka fituar 3 nga 4 finalet që ka zhvilluar në Ligën e Kampioneve. E vetmja humbje si trajner ka qenë me Milanin kundër Liverpulit në vitin 2005 në Stamboll.

SALAH DHE KLOP – Mohamed Salah ka shënuar 33 gola në Ligën e Kampioneve nën drejtimin e Jurgen Klopit. Vetëm tre lojtarë kanë shënuar më shumë se Salah me një trajner të vetëm: Mesi me Guardiolën 43 gola, Van Nistelroi me Fergusonin 35 gola dhe Tierri Henri me Vengerin po 35.

VETERANËT NJË GARANCI – Reali i Madridit numëron 5 lojtarë nga skuadra aktuale që kanë zhvilluar të paktën 100 takime në Ligën e Kampioneve (Benzema, Kros, Modriç, Marselo e Alaba). Mund të bëhet klubi i parë që rreshton në finale të paktën 5 lojtarë që kanë arritur shifrën magjike të 100 ndeshjeve.

MALDINI… BENZEMA – Benzema, i cili në ditën e finales do të jetë 34 vjeç e 160 ditë, mund të bëhet lojtari i dytë më i moshuar që shënon në një finale Champions-i pas Paolo Maldinit me Milanin në vitin 2005 (36 vjeç e 333 ditë). Kujtojmë se Benzema shënoi golin e parë në finalen e vitit 2018 mes Realit dhe Liverpulit në Kiev (3-1).

ARNOLD, NJË DEL PIERO I RI – Mbrojtësi i Liverpulit Trent Aleksandër-Arnold mund të luajë në finalen e tij të tretë të Ligës së Kampioneve. Në moshën 23 vjeç e 233 ditë në ditën e finales së këtij viti, ai do të ishte lojtari i dytë më i ri në historinë e kompeticionit që do të shfaqej në tri finale pas Alesandro del Pieros në 1998 (23 vjeç e 192 ditë).

VINICIUS RIVALIZON… Mesin – Sulmuesi i krahut i Realit të Madridit, Vinicius Zhunior, ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në nëntë gola në Ligën e Kampioneve në këtë sezon (tre gola dhe gjashtë asiste). Lojtari i fundit nga Amerika e Jugut i angazhuar në të paktën 10 gola në një sezon të vetëm mbi moshën 21 vjeç ka qenë Lionel Mesi në sezonin 2008-2009 (nëntë gola dhe pesë asiste).

TRIPLETA E BENZEMASË – Francezi ka shënuar 15 gola me Realin e Madridit në Ligën e Kampioneve në këtë sezon dhe është vetëm dy gola larg rekordit absolut që mbahet nga Kristiano Ronaldo (17) po me Realin e Madridit në sezonin 2013-2014.

Nëse shënon në finale ndaj Liverpulit, Benzema do të bëhej golashënuesi i tretë më i mirë në historinë e Champions-it, duke lënë pas Levandovskin (86). Përpara tij do të jenë vetëm Mesi (125) dhe Ronaldo (140).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat