Jo vetëm Roma dhe Lazio, kryeqytetit i shtohet edhe një tjetër klub

Futboll

Jo vetëm Roma dhe Lazio, kryeqytetit i shtohet edhe një tjetër klub

Më: 9 korrik 2022 Në ora: 13:18
Jo vetëm Roma dhe Lazio, kryeqytetit i shtohet edhe një tjetër klub

Kryeqyteti i Italisë nuk do të përfaqësohet më nga dy klube futbolli, por nga tre të tillë. Më të famshmit sigurisht që mbeten Lazio dhe Roma, por suksesin do të mundohet ta mbërrijë edhe klubi më i ri, Roma City FC. Ky klub është themeluar nga një sipërmarrës amerikan, por me origjinë italiane, Tonino Doino.

Skuadra më re në kryeqytet do ta nisë rrugëtimin e saj nga Serie D, ndërsa investitori Doino ka menduar të krijojë edhe qendër sportive shumë moderne pasi synimi është ngjitja sa më shpejt në elitë. Doino, i cili e ka nisur rrugën e tij si kamarier në restorantet amerikane, sot është pronar i disa të tillave në Shtetet e Bashkuara ndërsa ka ëndërruar gjithnjë të bëhet president i një klubi italian.

“Unë flas italisht, por mentalitetin si bisnezmen e kam të ndërtuar nga Amerika.

Po mundohem të kuptoj logjikën e një bote të cilën e njoh pak edhe pse e ndjek futbollin si një tifoz verdhekuq i Romës prej kohësh.

Një herë me vëllain tim kam ndjekur një derbi nga shkallët e stadiumit te sektori i tifozëve të Lazios pasi nga ana e Romës kishin mbaruar biletat. Më pas, Roma shënoi dhe ne festuam por duhej të iknim me vrap. Unë e vlerësoj Claudio Lotiton e Lazios, e ka shpëtuar klubin nga falimentimi dhe ka ditur të fitojë më shumë se të tjerët. Nuk ishte e lehtë”, u shpreh Doino.

Nga sezoni i ardhshëm, Roma City Fc që do të militojë në Serie D do t’i zhvillojë ndeshjet në kompleksin Riano Athletic Center, ku në dispozicion janë shtatë fusha, përfshirë edhe një stadium të vogël me kapacitet prej 2500 vendesh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat