Shqipëria, dy miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut në shtator

Futboll

Shqipëria, dy miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut në shtator

Më: 18 korrik 2022 Në ora: 12:14
Shqipëria, dy miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut në shtator

Ekipi kombëtar shqiptar U-17 ka zyrtarizuar dy ndeshje miqësore ndaj përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut në muajin shtator. Departamenti i Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit bën me dije se dy federatat përkatëse kanë rënë dakord për zhvillimin e këtyre dy ndeshjeve në datat 12 dhe 14 shtator.

Sfida e parë e kuqezinjve do të luhet në transfertë, më 12 shtator, ndërsa përballja e dytë do të zhvillohet dy ditë më pas në vendin tonë, teksa mbeten për t’u përcaktuar stadiumet se ku do të luhen dhe ora e takimeve.

Këto dy sfida janë shumë të vlefshme për ekipin kuqezi, që drejtohet nga trajneri Ervin Bulku, i cili do të testojë dhe do t’u japë mundësi lojtarëve që do të thërrasë të tregojnë cilësitë e tyre, për të vendosur më tej për grupin e futbollistëve që do të përfaqësojnë Shqipërinë në eliminatoret e Kampionatit Europian 2022/2023 për këtë grupmoshë.

Shqipëria U-17 është shortuar në grupin 7, së bashku me Suedinë, Kroacinë dhe Uellsin, ku ndeshjet do të zhvillohen në formën e një mini-turneu në Kroaci në muajin tetor, përkatësisht në datat 20, 23 dhe 26 tetor 2022.

Ervin Bulku ka shfrytëzuar të gjitha datat e mundshme të UEFA-s, por edhe ditë të tjera për të zhvilluar seleksionime e grumbullime me lojtarë nga brenda e jashtë vendit, për të spikatur elementët më të mirë që mund t’i shërbejnë ekipit kombëtar. Gjithashtu, Shqipëria U-17 ka zhvilluar edhe disa miqësore përgjatë këtij viti, teksa të fundit ishin ato ndaj Kosovës në muajin qershor, ku kuqezinjtë morën një fitore dhe një barazim.

Sakaq, data e grumbullimit të ekipit U-17 dhe lista e lojtarëve të thirrur për miqësoren ndaj Maqedonisë së Veriut do të bëhen me dije në javët në vazhdim në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat