Kontrata i skadon në nëntor, ja nga se varet rinovimi i tij

Futboll

Kontrata i skadon në nëntor, ja nga se varet rinovimi i tij

Më: 19 gusht 2022 Në ora: 15:26
Reha

Në një intervistë të gjatë për RTSH Sport, kreu i futbollit shqiptar është ndalur në shumë çështje. Pikërisht ditën e startit të sezonit të ri të Superiores, Armand Duka ka nënvizuar ndryshimet e bëra jo vetëm në insfrastrukturë, gjykim (përmes VAR), rregullore etj, por ka shprehur edhe pakënaqësinë për ecurinë e skuadrave tona në Kupat e Europës, kësaj vere.

Po kështu, ka folur qartë për të ardhmen e Edy Reja në stolin e kombëtares kuqezi, të cilit i përfundon kontrata pas thyajse dy muajsh: “Trajnerit Reja i përfundon kontrata realisht në nëntor, jo fiks pas përfundimit të ndeshjeve të shtatorit. Dy ndeshjet e fundit të ‘Nations League’ ndaj Izraelit dhe Islandës janë vërtetë shumë të rëndësishme.

Ekzistojnë të gjitha mundësitë që ne t’i fitojmë të dyja ndeshjet, por edhe mund të mos fitojmë asnjërën prej tyre. Pra, mund ta mbyllim edhe të parët grupin, por mund ta mbyllim edhe në vendin e fundit. Jemi në një farë mënyre me fat që nuk biem nga Liga B, por kemi edhe objektivin për të shkuar në Ligën A.

Çdo gjë mund të ndodhë në këto dy ndeshje dhe rezultatet mund të sjellin ndryshime apo vendime të reja. Trajneri dhe stafi i tij për mua kanë bërë një punë të mirë në ekipin kombëtar shqiptar. Kemi rritje, kemi elementë të rinj në ekipin kombëtar, kemi një numër futbollistësh akoma më të madh në dispozicion.

Duhet të kemi parasysh që kemi kaluar një periudhë të vështirë, ashtu si e gjithë bota me pandeminë Covid-19. Nuk ka qenë e lehtë që të kishe ekip të gatshëm dhe konkurrues për kompetcionet, qoftë në ‘Nations League’ apo kualifikueset e Botërorit.

Jemi dëshmitarë që vetëm para ndeshjes me Poloninë, më e rëndësishmja e kompeticionit, humbëm tre futbollistë nga Covid-19, por gjithsesi stafi ka zgjeruar grupin për të pasur më shumë zgjidhje. Kështu që në përgjithësi stafi teknik kuqezi ka bërë një punë të mirë, por dy ndeshjet e shtatorit janë vendimtare për këtë kompeticion, edhe për stafin”.

Pyetjes se si do ta përshkruante aventurën e skuadrave shqiptare në Europë, së fundi, Duka iu përgjigj: “Edicioni që mbyllëm në Kupat e Europës së fundi nuk kishte progres krahasimisht me edicionet e mëparshme. Rezultatet nuk ishin të pritshme, mendoja që mund të shkonim më larg, por nuk ndodhi kështu.

Përveç Laçit që kaloi një tur dhe u eliminua në të dytin, skuadrat e tjera u eliminuan që në turin e parë dhe nuk ishte një edicion i suksesshëm. Gjithsesi, futbolli kështu është, sidomos në aktivitete të tilla ku eliminohesh me një ndeshje, nuk është pasqyrë e nivelit të lojës apo performancës së një ekipi gjatë gjithë vitit”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat