Berisha asiston dhe lë skuadrën me 10 lojtarë në Bundesliga I

Futboll

Berisha asiston dhe lë skuadrën me 10 lojtarë në Bundesliga I

Më: 2 tetor 2022 Në ora: 20:19
Berisha asiston

Bundesliga ka ulur këtë të dielë raundin e tetë të Bundesliga me dy sfida Hertha Berlin-Hoffenheim dhe Schalke 04-Augsburg.

Hertha Berlin dhe Hoffenheim ndanë pikët në “Olympiastadion”, në sfidën që u mbyll me barazimin 1-1. Kjo ndeshje ishte shumë e luftuar nga të dyja anët, ndonëse miqtë deri diku u dukën më kërkues.

Pjesa e parë i solli të dy golat dhe vulosi rezultatin e sfidës. Ishte Kramaric ai i cili zhbllokoi rezultatin, me golin e realizuar në minutën e 25’, duke i dhuruar avantazhin Hoffenheim.

Megjithatë ky avantazh zgjati vetëm 12 minuta, pasi në minutën e 37’ Hertha Berlin mori barazimin, me Lukebakio që gjeti rrugën drejt rrjetës dhe i dhuroi një pikë ekipit të tij.

Fraksioni i dytë nuk solli asnjë surprizë, me të dy ekipet tentuan të shënonin, por pa sukses. Në fund të raundit të tetë Hertha Berlin renditet në vend të 14 me 7 pikë, teksa Hoffenheim në vend të pestë me 14 pikë.

Sfida e fundit e javës së tetë të Bundesliga, Schalke 04- Augsburg u mbyll me pesë gola. Tifozët në “Veltins Arena” dolën të zhgënjyer nga takimi ku prisnin të merrnin të paktën një pikë.

Pjesa e parë e kësaj përballjeje foli për miqtë me Demirovic që zhbllokoi sfidën në minutën e 9’. Më pas në minutën e 21’ ishte po ai i cili do të gjente rrugën drejt rrjetës duke shënuar golin e dytë personal, por edhe për ekipin.

Megjithatë në ndryshim nga goli i parë që ishte e gjitha meritë e e 24-vjeçarit, në golin e dytë mesfushori nga Bosnjë-Hercegovina u asistua nga Mërgim Berisha. Vendasit tentuan të reagonin dhe ia dolën që të ngushtonin rezultatin në minutën e 33’ me golin e Terodde.

Schalke nuk u ndal me aq, por në fraksionin e dytë, më saktë në minutën e 63’ Krauss realizoi golin e barazimit.

Situata u vështirësua edhe më shumë për Augsburg në minutën e 71’ kur Berisha u bë sërish protagonist, por tashmë për keq, pasi mori kartonin e dytë të verdhë dhe la fushën e lojës, duke e lënë kështu ekipin e tij në inferioritet.

Pavarësisht faktit që ishin me një lojtar më pak, miqtë vazhduan me tentativat dhe këmbënguljen për të marrë fitoren dhe në minutën e 77’ Hahn realizoi golin e fitores për Augsburg dhe vulosi rezultatin e kësaj sfide.

Pas raundit të tetë të Bundesliga, Schalke 04 renditet në vend të 15 me 6 pikë, teksa Augsburg shkon në kuotën e 12 pikëve dhe ngjitet në vend të 10-të.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat