Korenica më i miri i xhiros së nëntë në Superligën e Kosovës

Futboll

Korenica më i miri i xhiros së nëntë në Superligën e Kosovës

Më: 3 tetor 2022 Në ora: 12:06
Meriton Korenica

Meriton Korenica është shpallur lojtari më i mirë i xhiros së nëntë në Superligën e Kosovës.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Selajdin Jerliu nga KFV GJilani, Bujar Asllani nga KFV Ferizaj dhe Xhevat Vallqi nga KFV Mitrovica.

Komisioni vlerësoi se mesfushori kreativ i Ballkanit ishte lojtari më i mirë i ndeshjes dhe njëherësh vendimtar në fitoren që skuadra kampione e realizoi para tifozëve të vet kundër Gjilanit (2:0). Ai shënoi golin e dytë për portokallezinjtë, në minutën e 88-të, duke e vulosur fatin e këtij takimi.

Korenica u shpreh i lumtur që skuadra e tij u rikthye në “folenë” e vet me fitore, teksa u shpreh i nderuar me çmimin ‘Ylli i Javës’.

“Jam shumë i lumtur për këtë çmim, por edhe për golin dhe fitoren e shënuar dje. Shpresoj që gjatë këtij kampionati unë ose bashkëlojtarët e mi të rikthehemi sa më shpesh këtu për ta marrë çmimin e më të mirit të javës. @fcballkaniofficial është në rrugën e duhur për ta mbrojtur titullin e kampionit dhe do të luftojmë ndeshje pas ndeshjes që të shënojmë sa më shumë fitore dhe të dalim triumfues të Albi Mall Superligës”, ka theksuar Korenica për faqen zyrtare të FFK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat