Muhamet Avdyli në futboll e në arsim gjatë kohës së rezistencës ndaj regjimit serb

Futboll

Muhamet Avdyli në futboll e në arsim gjatë kohës së rezistencës ndaj regjimit serb

Më: 30 mars 2023 Në ora: 16:07
Prof. Dr. sc Muhamet Avdyli

Prof. Dr. sc Muhamet Avdyli, trajner dhe aktivist i futbollit në vitet më të rënda, përveç kësaj me krenari e ka mbajtur në dorë ditarin, profesor në shkollë të mesme, ndërsa sot është ligjërues në Fakultetin e UBT-së.

Në periudhën e pavarësimit të sportit të Kosovës nga ai i ish jugosllav, e mori detyrën e nënkryetarit të Lidhjes së futbollit të rajonit të Ferizajt dhe njëkohësisht ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Federatës së Futbollit të Kosovës. 

Po ashtu ka qenë edhe gjyqtar i futbollit. 

Image

Prof. Dr. sc Muhamet Avdyli me nxënësit e tij në vitet e 90-ta

Përveç kësaj Muhameti ishte edhe kryetar i KF Tefik Çangën nga fshati Tërn i Ferizajt, anëtar i Ligës së Parë të Kosovës, Grupi i Ferizajt.

Në faqen e instragramit “Democracy_in_danger”, është publikuar shkrimi për prof. Dr. sc Muhamet Avdyli, për kohën e rezistencës në vitet e 90-ta ndaj okupatorit serb.

“Pasi shkollat shqipe u mbyllën nga qeveria ish-jugosllave e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1990, për t'i rezistuar këtij vendimi mësuesit shqiptarë të Kosovës vazhduan që të mbajnë mësim në shkollat e improvizuara.

Muhamet Avdyli, profesor i elektroteknikës, ishte në mesin e mësuesve që punuan pa pagesë për 10 vjet në gjimnazin e qytetit të Ferizajt, në veri të Kosovës”, shkruan “Democracy_in_danger”, projekt gazetaresk i “DW”.

 “Ato ditë i hodhëm themelet e një shteti që pritej të konsolidohej në të ardhmen dhe gjëja e parë që menduam ishte që të bënim arsimin e pavarur”, kujton prof. Avdyli.

“Në disa raste mësuesit ishin në një gjendje problematike ekonomike, pasi nuk kishin të ardhura dhe duhet t’i falënderoj bamirësit e shumtë që na kanë ofruar ndihmë”, thotë Avdyli.

Përveç rezistencës, për të edukuar brezin e ri, Muhameti lëvizte nga një shtëpi në tjetrën për t'iu dhënë njohuri nxënësve të tij. 

“Kishte raste kur familja jetonte në katin e parë, ndërsa në katin e dytë ne e zhvillonim mësimin tonë, duke i mbajtur shpesh të shoqëruara me zhurmën e klithmave të fëmijëve.

Por kishte edhe objekte të reja që i akomodonim 10 klasa”, kujton ai.

Muhameti thotë se interesimi i studentëve në atëkohë ka qenë i madh.

Dhe kur një student mungonte, profesorët kishin frikë se mund të ndalohej nga policia serbe gjatë rrugës për në shkollë.

Gjatë dekadës, ai së bashku me nxënësit e tij, bënë përpjekje për t'u rikthyer në ambientet e shkollave të tyre, dështuan për shkak të regjimit serb. 

Për të shprehur qëndrimin e tyre dhe për të kërkuar drejtësi, Muhameti organizoi edhe një protestë me nxënës të shkollës.

“Qëllimi i protestës sonë ishte të fitojmë vëmendjen ndërkombëtare ndaj dhunës që po ushtrohej kundër arsimit”, thotë ai.

Në të njëjtën kohë, i frymëzuar nga ideja e edukimit të fëmijëve në gjuhën e tyre amtare, Muhameti vullnetarisht ua dhuroi shtëpinë e tij duke e shndërruar në shkollë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat