Shqipëria humbet dy pozicione, po ku gjendet Kosova?

Futboll

Shqipëria humbet dy pozicione, po ku gjendet Kosova?

Më: 6 prill 2023 Në ora: 11:27
Shqipëria

Humbja me Poloninë i ka kushtuar Shqipërisë zbritjen e dy pozicioneve në renditjen e përgjithshme të FIFA-s.

Në azhornimin e bërë së fundmi, kombëtarja kuqezi renditet në vendin e 68-të, dy më poshtë se muaji i kaluar.

Skuadra e drejtuar nga braziliani Sylvinho, nuk arriti të merrte një rezultat pozitiv në Varshavë, edhe pse zhvilloi një takim pozitiv. Polonia triumfoi 1-0 sfidën e parë eliminatore të Euro 2024.

Sa i takon Kosovës, dardanët nuk kanë ndryshuar pozicion, duke u renditur edhe këtë muaj në vendin numër 107. Skuadra e Giresse barazoi në dy ndeshjet e para në kualifikueset e kampionatit europian.

Fillimisht barazuan 1-1 me Izraelin në Tel Aviv. Tri ditë më vonë, Kosova zhgënjeu në “Fadil Vokrri” duke u ndaluar nga Andorra me të njëjtin rezultat.

Gjashtë vjet pas kryesimit të fundit në renditjen botërore, Argjentina është rikthyer sërish në majën e futbollit botëror. Fitoret e fundit miqësore kundër Panamasë (2-0) dhe Curaçao (7-0) ndihmuan kampionët e botës të rrëzonin nga froni Brazilin. Seleçao pagoi humbjen në miqësoren kundër Marokut me rezultatin 2-1.

Pesë herë kampionët e botës jo vetëm që kanë zbritur nga froni, por gjithashtu kanë humbur edhe vendin e dytë. Franca është ngjitur një vend më lart për shkak të fitoreve të njëpasnjëshme në kualifikueset e Euro 2024 kundër Holandës dhe Irlandës.

Jashtë treshes kryesore, nuk kishte asnjë lëvizje tjetër në mesin e Top 10. Belgjika mbetet pak jashtë vendeve të podiumit, e ndjekur nga afër nga Anglia. Në fakt, shkëmbimi i vendeve nga Senegali (18, +1) dhe Danimarka (19, -1) ishin ndryshimet e tjera në Top 20.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat