Prishtina si gjithmonë e bën ligjin në Kupën e Kosovës, mposht Gjilanin në finale

Futboll

Prishtina si gjithmonë e bën ligjin në Kupën e Kosovës, mposht Gjilanin në finale

Më: 5 qershor 2023 Në ora: 17:51 Përditësuar në ora: 18:07 më 05.06.2023
Prishtina

Prishtina e ka mbyllur sezonin me trofe

Skuadra e drejtuar nga Debatik Curri mposhti Gjilanin në finale të kësaj gare.

Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” përfundoi me rezultatin e pastër 0:2.

Pjesa e parë e kësaj sfide u përshkrua me një lojë të zbehtë nga të dy skuadrat, por krejtësisht ndryshe ishte pjesa e dytë.

Prishtinasit ia dolën të triumfojnë gjatë kësaj pjese, falë golave të shënuar nga Genc Hamiti (67’) dhe Mërgim Pefqeli (78’).

Gjilanasit ia dolën të shënojnë në minutën e 88-të, por goli i Mevlan Zekës u anulua nga VAR-i për shkak të pozitës jashtë loje.

Ndryshe, për Prishtinën është hera e tetë në histori të klubit që e fiton Kupën e Kosovës.

Kampioni i kësaj gare e siguron edhe pjesëmarrjen në garat evropiane, por kjo nuk do të ndodhë me Prishtinën pasi ky klub nuk është licencuar. 

'78 Prishtina ka dyfishuar epërsinë ndaj Gjilanit duke bërë kështu një hap të madh drejt trofeut të Kupës së Kosovës.

Goli i dytë erdhi në minutën e 78’ dhe ishte Mërgim Pefqeli ai që shënoi një supergol nga rreth 25 metra distancë.

Kur kanë mbetur edhe 10 minuta deri në fund të ndeshjes, Gjilani duke se do ta ketë të pamundur ta përmbysë rezultatin.

'68 Prishtina ka kaluar në epërsi ndaj Gjilanit.

Golin e epërsisë e realizoi Genc Hamiti në minutin e 68-të, pas krosimit të Mërgim Pevqelit.

Nis pjesa e dytë e finales së Kupës së Kosovës

Ka nisur pjesa e dytë e finales së Kupës së Kosovës ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës.

Me barazim 0-0 u mbyll pjesa e parë, pas një shfaqje të zbehtë nga të dy skuadrat në fushë që nuk krijuan asnjë rast të pastër për shënim.

Tani mbetet të shihet nëse 45 minutat tjera do të jenë vendimtare, apo do të nevojiten vazhdimet për t’u përcaktuar fituesi i këtij trofeu.

'45 Ka përfunduar pa gola pjesa e parë e finales së Kupës së Kosovës në futboll ndërmjet Gjilanit dhe Prishtinës që po zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Gjatë 45 minutave të dyja skuadrat kanë shfaqur lojë shterpë duke mos krijuar asnjë rast shënimi dhe duke mos shfaqur futboll të bukur për tifozët e pranishëm.

Ndryshe nga ajo që po ndodh në fushë, spektakël i madh po bëhet në tribuna, aty ku “Plisat” dhe “Skifterët” po mbështesin skuadrat e tyre.

Në minutën e 15’ ndeshja u ndërpre për pak minuta për shkak se tifozët e Prishtinës në shenjë proteste ndaj kryesisë së klubit hodhën mjete piroteknike në fushë, derisa këndonin kundër drejtuesve të klubit.

“Armiku i klubit janë vetë kryesia”, ishte baneri i shpalosur nga “Plisat”.

Arsyet e këtyre protestave nga tifozët kanë të bëjnë me faktin se Prishtina ndodhet në një krizë të thellë financiare si rezultat i së cilës edhe nuk po licencohet për pjesëmarrje në garat evropiane.

'41 Në stadiumin “Fadil Vokri” në Prishtinë po zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës mes Gjilanit dhe Prishtinës.

Ajo që bie në sy është numri i vogël i tifozëve të Prishtinës, por edhe ata që janë të pranishëm nuk po ndalen së kënduari kundër kryesisë së klubit kryeqytetas.

“Armiku i klubit është vetë kryesia” ishte mesazhi i tyre në tribuna.

Më pastaj ata kanë hedhur edhe mjete teknike në fushë teksa rezultati vazhdon të jetë 0-0.

'20 Në “Fadil Vokrri” po zhvillohet finalja e Kupës së Kosovës në mes të Gjilanit dhe Prishtinës.

Gjatë ndeshjes, tifogrupi “Plisat” hodhën fishekzjarre në fushë, duke shkaktuar tym të madh.

Kjo e bëri të pamundur për disa minuta zhvillimin e lojës.

'18 Në “Fadil Vokrri” po ballafaqohen Gjilani dhe Prishtina.

Kryeqytetasit janë bindshëm klubi me më së shumti triumfe në këtë garë, pasi nga 10 finale që kanë zhvilluar nga mëvetësimi i futbollit të Kosovë, 7 i kanë fituar.

Nga ana tjetër, Gjilani 4 herë ka arritur ta prek finalen, kurse ka triumfuar vetëm një herë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat