Arbeloa konfirmon Rodrygon dhe flet për Vinicius: Dua ta shoh të bëjë histori

Futboll

Arbeloa konfirmon Rodrygon dhe flet për Vinicius: Dua ta shoh të bëjë histori

Më: 23 janar 2026 Në ora: 14:03
Alvaro Arbeloa

Trajneri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, ka folur për mediat në prag të ndeshjes së rëndësishme të La Ligës ndaj Villarrealit, duke theksuar rëndësinë e madhe të kësaj përballjeje dhe nevojën që skuadra të tregojë karakter në një nga transfertat më të vështira në Spanjë.

“Është një ndeshje shumë e rëndësishme për shkak të kundërshtarit dhe asaj që përfaqëson.

Janë tri pikë që të japin besim në një fushë shumë të vështirë. Duhet të japim maksimumin,” u shpreh Arbeloa.

Trajneri madrilen foli edhe për përdorimin e Federico Valverdes në rolin e mbrojtësit të djathtë, duke vlerësuar fleksibilitetin dhe përkushtimin e lojtarëve. Ai konfirmoi gjithashtu rikthimin e Rodrygos, i cili do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen ndaj Villarrealit.

Në lidhje me situatën kontraktuale të Vinicius Jr., Arbeloa theksoi se kjo çështje i takon klubit dhe lojtarit, por shprehu dëshirën e tij që braziliani të vazhdojë të shkruajë histori me Real Madridin.

Arbeloa u shpreh i kënaqur me grupin aktual të lojtarëve dhe tha se akademia mbetet gjithmonë një alternativë e fortë nëse lind nevoja. Ai pati fjalë të veçanta lavdërimi për Jude Bellinghamin, duke e cilësuar si një lojtar me mentalitet fitues, lidership dhe karakter të fortë – cilësi thelbësore për një futbollist të Real Madridit.

Në fund, trajneri vlerësoi rikthimin e Brahim Díaz dhe theksoi se fitorja, uniteti dhe mentaliteti janë baza e filozofisë së tij.

“Te Real Madridi, fitimi është më i rëndësishmi. Përtej sistemeve, dua të shoh karakter dhe bashkim si skuadër. Këto janë vlerat tona dhe nuk duhet t’i braktisim kurrë,” përfundoi Arbeloa.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat