Bundesliga gjermane ka një anëtar të ri, ka rreth 13 mijë banorë

Futboll

Bundesliga gjermane ka një anëtar të ri, ka rreth 13 mijë banorë

Nga: K.G. Më: 17 maj 2026 Në ora: 20:22
Pamje nga festa

Futbollistët e SV Elversberg siguruan për herë të parë në historinë e klubit pjesëmarrjen në elitën e futbollit gjerman, pasi e përfunduan sezonin në vendin e dytë në Bundesliga 2.

Në javën e fundit, Elversberg triumfoi me rezultat 3:0 ndaj Preußen Münster dhe mbrojti pozitën e dytë që e mbante edhe para xhiros përfundimtare, pozitë që siguron ngjitjen direkte në Bundesligë.

Para ndeshjes së fundit, tri skuadra kishin nga 59 pikë: Elversberg, SC Paderborn 07 dhe Hannover 96.

Megjithatë, Elversberg kishte diferencë shumë më të mirë golash dhe gjithçka varej nga vetja – gjë që nuk e lëshoi nga dora.

Elversberg i bashkohet FC Schalke 04 në Bundesligë. Skuadra nga Gelsenkirchen e kishte siguruar rikthimin shumë më herët dhe e mbylli sezonin në vendin e parë me 70 pikë.

Vendin e tretë, që dërgon në play-off, e fitoi Paderborn pas fitores 2:0 ndaj SV Darmstadt 98, ndërsa Hannover 96 pas barazimit 3:3 me 1. FC Nürnberg ra në vendin e katërt dhe mbeti në kategorinë e dytë.

Nga Bundesliga ranë FC St. Pauli dhe 1. FC Heidenheim, ndërsa VfL Wolfsburg do të luajë play-off për mbijetesë kundër Paderbornit.

Elversberg do të bëhet klubi i 59-të që luan në Bundesligë që nga themelimi i saj në vitin 1963.

Fenomeni bëhet edhe më i madh kur dihet se komuna Spiesen-Elversberg ka vetëm rreth 13 mijë banorë, duke u bërë komuna më e vogël që ka pasur ndonjëherë një klub në elitën gjermane. Rekordin e mëparshëm e mbante Unterhaching me rreth 26 mijë banorë.

Klubi, i themeluar në vitin 1907, po luante vetëm sezonin e tretë në Bundesliga 2, ndërsa suksesin historik e udhëhoqi trajneri Vincent Wagner. Ai mori drejtimin në fillim të sezonit, pasi një vit më parë Elversberg kishte humbur promovimin në mënyrën më dramatike të mundshme ndaj Heidenheimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat