Klubi i futbollit të Ulqinit ka shënuar një arritje historike duke siguruar rikthimin në elitën e futbollit malazez, sukses që ka ndezur festën e tifozëve dhe ka marrë mbështetjen e plotë të strukturave komunale.
Ambasadori i njohur i sportit në Ulqin, Skender Rexha, u shpreh i emocionuar pas ndeshjes, duke kujtuar edhe sfidat e kaluara me mungesën e fushave stërvitore.
”Falënderoj përzemërsisht të gjithë ata që besuan te ne.
Përkundër vështirësive, ne nuk u dorëzuam.
Kemi pasur mbështetjen e pakursyer të Komunës, të kryetarit dhe, mbi të gjitha, të tifozëve tanë që na qëndruan pranë në çdo moment,” u shpreh Rexha pë r Radio Ulqinin.
Përveç suksesit me ekipin e parë, klubi po investon fuqishëm te rinia përmes 9 seleksioneve të grupmoshave të reja. Për t’i motivuar ata, janë ndarë 13 bursa sportive të bazuara ekskluzivisht mbi meritën dhe talentin.
”Këta janë fëmijë të thjeshtë dhe plot talent që janë përzgjedhur nga trajnerët tanë. Janë bursa specifike për sportistë, për t’i motivuar ata të ecin përpara,” nënvizoi ai.
Sfidat e radhës për futbollin ulqinak lidhen me përmirësimin e kushteve stërvitore. Planifikimi i afërt përfshin projekte për fusha të reja në bashkëpunim me Federatën dhe Komunën, me synimin e vetëm: ndërtimin e një klubi stabil dhe konkurrues në Ligën e Parë.