Ndeshja finale e Kupës së Kosovës në futboll, mes Ferizajt dhe Dukagjinit të Klinës, nuk përfundoi ashtu si i ka hije.
Dukagjini fitoi me rezultat 2:1 dhe kremtoi në fund trofeun e çmueshëm, ndërsa Ferizaj braktisen fushën në shenjë revolte me gjyqtarin Genc Nuza, sipas tyre i dëmtoi për dy penallti klasike, megjithatë u kthyen në fushë pas dhjetë minutave.
“Shkëndija ka “binjakë” në Kosovë – edhe Ferizaj refuzoi t’i marrë medaljet e Kupës! Skuadra e Dukagjini e mposhti Ferizaj me rezultat 2:1 në finalen e Kupës së Kosovës, ndeshje e cila u karakterizua nga tensione të shumta dhe incidente, ngjashëm me finalen e pardjeshme të Kupës së Maqedonisë mes Sileks dhe Shkëndija”, shkruan mediumi maqedonas “Sport1”, duke shtuar: “Futbollistët dhe stafi teknik i Ferizajt kishin shumë ankesa ndaj arbitrimit, ndërsa në një moment, në shenjë revolte, e braktisën përkohësisht fushën.
Më herët pati edhe përleshje dhe tensione mes lojtarëve, ndërsa gjyqtarët mezi arritën ta çojnë takimin deri në fund.
Kulmi i pakënaqësisë ndodhi pas përfundimit të ndeshjes.
Ashtu si futbollistët e Shkëndijës një ditë më parë, edhe lojtarët e Ferizajt refuzuan t’i pranojnë medaljet e argjendta dhe u drejtuan menjëherë për në zhveshtore, pasi paraprakisht komunikuan me tifozët e tyre”.