Kapiteni i Vëllaznimit të Gjakovës, Rron Rogova, e ka të vështirë të shpjegojë humbjen e djeshme me rezultat 3:1 nga Vushtrria.
Vëllaznimi jo vetëm që nuk u rikthye në elitë e futbollit të Kosovës, por edhe mbetet jashtë barazhit, duke përfunduar në vend të gjashtë me 70 pikë.
“Nuk është e lehtë me gjet fjalë pas një fundi si ky.
Ishim vetëm 45 minuta larg ëndrrës që e kemi ndërtuar gjithë sezonin me mund, djersë e sakrificë.
Fatkeqësisht nuk arritëm me e mbyll ashtu siç e kemi ëndërru.
Por, pavarësisht dhimbjes, krenaria për këtë ekip është më e madhe se çdo rezultat. Ky sezon ka qenë i vështirë në çdo aspekt – shumë sakrificë, shumë lodhje, shumë momente të rënda, por asnjëherë nuk jena dorëzu.
Faleminderit çdo bashkëlojtari, trajnerëve dhe kryesisë së klubit për çdo sakrificë gjatë këtij rrugëtimi.
Një falënderim i veçantë shkon për tifozët tanë dhe Kuqezinjtë e Gjakovës që nuk na lanë vetëm asnjë moment – në çdo stadium, në çdo ndeshje, në fitore e zhgënjim, nuk jeni ndalur duke na dhënë përkrahje. Futbolli nganjëherë të rrëzon, por karakteri tregon si ngrihesh përsëri.
Kjo nuk është fundi i ëndrrës. Do të rikthehemi më të fortë”, ka shkruar Rogova..