Allegri, Furlani e Tare do të paguhen me rreth 22 milionë euro pas shkarkimit

Futboll

Allegri, Furlani e Tare do të paguhen me rreth 22 milionë euro pas shkarkimit

Më: 26 maj 2026 Në ora: 15:32
Allegri, Tare e Furlani

Revolucion i vërtetë në shtëpinë e Milan. Vetëm pak rreshta në një njoftim për shtyp mjaftuan që Gerry Cardinale të trondiste themelet e klubit kuqezi, duke deklaruar hapur se të gjithë janë përgjegjës për “dështimin sportiv” të këtij sezoni katastrofik.

Pasojat erdhën menjëherë,  shkarkime masive në nivelet më të larta të klubit. Milani largoi trajnerin Massimiliano Allegri, CEO-n Giorgio Furlani, drejtorin sportiv Igli Tare dhe Geoffrey Moncadën.

Eliminimi praktik nga gara europiane pas humbjes në “San Siro” ndaj Cagliari duket se ishte pika që derdhi gotën.

Ky revolucion nuk do të ketë pasoja vetëm sportive, por edhe financiare. Klubi kuqezi pritet të humbasë rreth 70 milionë euro nga mungesa në Champions League sezonin e ardhshëm.

Përveç kësaj, drejtuesit e shkarkuar do të vazhdojnë të paguhen deri në përfundim të kontratave të tyre, duke rënduar ndjeshëm bilancin ekonomik të klubit. Sipas “Gazzetta dello Sport”, kostoja totale e largimeve arrin në rreth 22 milionë euro bruto.

Pesha më e madhe bie mbi Furlanin dhe Allegrin. CEO-ja i Milanit kishte rinovuar kontratën deri në vitin 2028 me një pagë prej rreth 10 milionë euro bruto, ndërsa Allegri ishte i lidhur me klubin deri në vitin 2027 me një kontratë prej afro 9 milionë euro bruto.

Nga ana tjetër, Igli Tare pritet të përfitojë rreth 3 milionë euro bruto nga kontrata e tij trevjeçare, ndërsa Moncada do të paguhet vetëm deri më 30 qershor, pasi rinovimi i kontratës së tij nuk ishte zyrtarizuar ende.

Megjithatë, një pjesë e kostove mund të reduktohet nëse arrihen marrëveshje financiare apo nëse drejtuesit e larguar gjejnë shpejt ekipe të reja.

Në Itali flitet se Napoli po monitoron nga afër situatën e Allegrit.

Për momentin, mes humbjeve nga UEFA dhe kostove të shkarkimeve, arkat e “Djallit” pritet të përballen me një deficit prej afro 92 milionë eurosh, një goditje e rëndë që mund të ndikojë drejtpërdrejt edhe në merkaton e verës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat