Skuadra shqiptare Deçiqi nga Tuzi do të ndeshet me Mornarin e Tivarit në finalen e Kupës së Malit të Zi në futboll.
Ashtu si para 12 muajsh, do të përballen sërish në finalen e Kupës së Malit të Zi.
Të dy skuadrat tashmë e kanë siguruar daljen në Evropë, ndërsa tani do të luftojnë për trofeun e dytë të sezonit.
“Vitin e kaluar triumfoi skuadra e Deçiqit, falë golit të Asmir Kajeviq për fitoren 1:0, duke e fituar për herë të parë në histori Kupën e Malit të Zi.
Tani synon ta mbrojë trofeun, sidomos pasi rrugës drejt finales eliminoi klubet më të mëdha të vendit, kampionin e ri Sutjeskën e Nikshiqit dhe kampionin e sezonit të kaluar Buduçnostin nga Podgorica”, ka shkruar media malazeze “Vijesti”.
“E kemi eliminuar Buduçnostin dhe Sutjeskën dhe shpresojmë që njësoj të ndodhë edhe ndaj Mornarit. Presim që fokusi i lojtarëve të jetë në nivel shumë të lartë”, deklaroi trajneri i Deçiqit, Nebojsha Jandriq.
“Shpresoj që atmosfera të jetë e jashtëzakonshme dhe publiku të shijojë një ndeshje që është më e bukura e çdo sezoni në futbollin malazez.
Është privilegj të jem këtu dhe pjesëmarrës aktiv në një ndeshje që pritet të jetë spektakël”, theksoi Jandriq.
Deçiqi do të luajë për herë të katërt në finale, pas humbjeve në vitet 2021 dhe 2022, tani mund të fitojë trofeun për të dytin vit radhazi.
“E kemi përjetuar se si fitohet Kupa, e dimë si bëhet. Na pret një ndeshje e vështirë, por besojmë në punën tonë dhe shpresojmë ta kurorëzojmë sezonin me sukses. Nuk jemi rastësisht këtu, kemi eliminuar dy rivalë seriozë para finales”, u shpreh zëvendëskapiteni Leon Ujkaj.
Përveç dy trofeve të Kupës, Deçiqi ka edhe titullin kampion të vitit 2024, ndërsa Mornari ëndërron një natë historike në më shumë se 100 vite ekzistencë të klubit.
“Do të ishte bukur të fitohej trofeu”, tha trajneri i Mornarit, Vesko Stesheviq, duke shtuar:
“Kemi zhvilluar një sezon të mirë, me vazhdimësi në lojëra. Kjo është një grup shumë i mirë lojtarësh dhe djemsh – si njerëz ashtu edhe si futbollistë kanë cilësi të larta.
Atmosfera është e mirë dhe dëshira është e madhe për ta korrigjuar dështimin e finales së vitit të kaluar. Kjo do të ishte vula ideale e sezonit”.
Skuadra nga Tivari është ndoshta historia më e bukur e këtij sezoni në futbollin malazez, Mornari deri në xhirot e fundit i bëri presion kampionit të ri nga Nikshiqi.
“Sezoni ka qenë fenomenal, por nuk duhet të kënaqemi – duhet të jemi më të uritur se kurrë dhe vetëm kështu mund të arrijmë trofeun”, tha kapiteni i Mornarit, Andrija Kalugjeroviq.
Finalja do të jetë edhe ndeshja e fundit në karrierën e mesfushorit të Deçiqit, Drashko Bozhoviq.
“Mornari ka lojtarë të shkëlqyer si Kajeviq, Bozhoviq, që do të kenë motiv shtesë, Petar Pavliçeviq dhe rikthehet Matija Bozhanoviq. Jam gati për të gjithë. Jo vetëm unë, por i gjithë ekipi”, përfundoi Kalugjeroviq.