Kombëtarja e Italisë, nën drejtimin e përkohshëm të Silvio Baldini, e nisi me fitore një kapitull të ri pas largimit të Gennaro Gattuso, duke e mposhtur Luksemburgun me rezultat 1:0 në një ndeshje miqësore.
“Azzurrët” krijuan shumë raste shënimi, por u përballën me mungesë efikasiteti para portës.
Golin e vetëm të takimit e realizoi Pio Esposito me kokë në fillim të pjesës së dytë, ndërsa Niccolò Pisilli, që goditi shtyllën, si dhe Luca Koleosho e Michele Fini humbën raste të mira për një fitore më bindëse.
Në minutën e 32-të, Pisilli, pas një pasimi të shkëlqyer nga Esposito, kaloi portierin, por gjuajti pranë portës.
Pjesa e parë u mbyll pa gola ndaj kombëtares së renditur e 98-ta në botë.
Italia kaloi në epërsi menjëherë në fillim të pjesës së dytë. Në minutën e 49-të, Esposito ishte më i larti pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Pisilli dhe e dërgoi topin në rrjetë për rezultatin 1:0.
Në minutën e 59-të, italianët iu afruan golit të dytë, por Pisilli, pas një aksioni të ndërtuar nga Koleosho, goditi shtyllën.
Një mundësi të madhe për ta konfirmuar fitoren e humbi edhe Fini në minutën e 72-të, kur nga afërsia gjuajti mbi traversë.
Në fund të ndeshjes ritmi ra, ndërsa të dy trajnerët kryen shumë zëvendësime. Në minutat shtesë u ndëshkua me karton të verdhë futbollisti vendas Dirk Carlson.