Ajet Shosholli, arkitekti që Shkëndijën e Tetovës e futi në elitë! Historia tronditëse përsëritet pas tri dekadash

Futboll

Ajet Shosholli, arkitekti që Shkëndijën e Tetovës e futi në elitë! Historia tronditëse përsëritet pas tri dekadash

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 6 qershor 2026 Në ora: 13:06
Ajet Shosholli

Pas tri dekadash po përsëritet historia në dëm të Shkëndijës së Tetovës në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut!

Në edicionin 1996-97, Shkëndija u dënua rëndë, ngjashëm si në edicionin 2025-26. 

Historia po përsëritet pas 29 vitesh, apo gati pas tri dekadash.

Image

Shkëndija e Tetovës 1995-1996: Ajet Shosholli (trajner), Zeqir Zeqiri, Elez Xheladini, Rexhep Veliu, Ibrahim Osmani, Skender Jonuzi, Sheismail Munishi, Ismail Sulejmani (nd.trajner) (në këmbë). Muharem Dosti , Ekrem Skënderi, Biroll Topçiu, Gajur Sadiku, Bashkim Sopi, Shpëtim Hajdari, Besim Opre, Samet Zejneli (në mes). Besar Ibrahimi, Rexhep Qamili, Halim Hodai, Qatip Osmani, Abdylhadi Vejseli (kryetar), Erxhan Menga, Refik Arifi, Rezeart Cami, Nebi Mustafi (ulur).
Ajet Shosholli, arkitekti që e futi Shkëndijën e Tetovës në elitë!

Trajneri i trajnerëve në Kosovë, Ajet Shosholli, është shkruar me shkronja të arta në faqet e historisë së madhe të Shkëndijës, kur skuadra u shpall kampione e Grupit të Perëndimit në Ligën e Dytë, bindshëm me 63 pikë, 11 më shumë se Napredoku, duke u inkuadruar për herë të parë në histori në elitën e futbollit.

Shkëndija e nisi ashtu si i ka hije në elitë. Më 18 gusht, mposhti Bellasicën e Strumicës me rezultat 1:0, në një atmosferë në Tetovë që ngjante me kohërat e gjeneratës së artë të Prishtinës në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë.

Pranvera e vitit 1997 ishte tronditëse, pasi në Tetovë ndodhi çudia me Bellasicën dhe gjithçka dukej e përgatitur nga maqedonasit për ta dëmtuar dhe rrëzuar Shkëndijën nga elita, pasi skuadra shqiptare me fanellat kuqezi shihej si “halë në sy”.

Në pranverë ndeshja e parë me Bellasicën në Strumicë u humb 3:0, ndërsa java e 15-të pranverore dhe takimi me Bregallnicën në Tetovë ishte fillimi i teposhtëzës.

Gjyqtarët ndëshkuan ashpër ekipin duke provokuar e pamundësuar që të fitojë, që si rezultat solli reagim të ashpër pas përfundimit të takimit.

Sulmi ndaj gjyqtarëve ishte arsyeja që Komisioni i Disiplinës pranë Lidhjes së Futbollit të Maqedonisë të shqiptonte ndëshkime rekorde për Shkëndijën. 10-të ndeshje 100 kilometra larg Tetovës, pezullim 20 muaj (gati dy vite) e 10 mijë marka për kryetrajnerin Ajet Shosholli dhe futbollistët Ibrahim Osmani, Skënder Jonuzi, Muharem Dosti dhe Halim Hodai. Plus kësaj ekipi u desh të paguajë gjobë prej rreth 100 mijë markave gjermane në llogari të LFM-së së atëhershme.

Kjo situatë do të rezultonte e pakalueshme për Shkëndijën, që megjithë rezistencën deri në javën e fundit humbi statusin në Ligën e Parë.

Sponsori Abdyladi Veseli u tërhoq nga klubi, ndërsa presidencën e morri Rexhep Bexheti që megjithatë nuk arriti të shmangë më të keqen. Në xhiron e fundit ekipi kishte nevojë për fitore që të siguronte mbijetesën, mirëpo barazoi 1:1 me Vardarin si vendase në Strugë dhe në fund rezultoi me zbritje në kategorinë e dytë, vetëm pas një viti garim në Ligën e Parë.

Skenari përsëritet si para 29 viteve. Shkëndija e Tetovës dënohet rëndë me 105 mijë euro në përgjithësi nga organet kompetente të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Përveç kësaj, skuadra më e suksesshme në Maqedoninë e Veriut u dënua edhe me një vit ndalesë pjesëmarrje në Kupën e Maqedonisë, sipas FFM-së, nuk i pranoi medaljet dhe tifozët “Ballistët” ofenduan nga tribunat.
 

Instruksionet e Shoshollit!

Kryetrajneri i Shkëndijës, strategu i mirënjohur i futbollit, Ajet Shosholli vazhdimisht është përkujdesur për dhënien e këshillave lojtarëve. Ai me entuziazëm të madh punoi gjatë tërë kampionatit, meqë pikësynim kishte që skuadrën tetovare ta avancojë një rang më të lartë. Qëllimin e këtillë ai më në fund edhe e arriti.

Deklaratat e tija para gazetarëve përherë ishin të matura. Ai edhe pse me tërë qenien e tij është optimist, këtë nuk e shpreh para se të shënohet rezultati. Din të krijojë atmosferë miqësie dhe respekti të ndërsjellë në mes lojtarëve, por edhe për faktorët tjerë relevantë të skuadrës. Punën e tij e kanë çmuar dhe e çmojnë të gjithë ata të cilët kanë pasur rastin së paku një herë të takohen dhe bisedojnë me të. Shkëndijën e deshi dhe e donë sa edhe Prishtinën.

Për suksesin e këtij klubi derdhi mjaft djersë dhe më në fund e realizoi atë që pat premtuar në fillim me ardhjen e tij në Tetovë. Shkëndija nën udhëheqjen e tij u bë Kampion, bile pa konkurrencë të denjë me ndonjë skuadër tjetër.

Ju lumtë z. Shosholli!”, kishte shkruar gazeta “Fakti” në vitin 1996. 

Tabela - LIga e Dytë, 1995 – 1996 

1.Shkëndija e Tetovës 30 19 6 5 65:23 63
2. Napredoku 30 16 4 10 40:25 52     
3. Shkëndija e Haraçinës 30 14 5 11 51:35    47
4. Magjari Solidarnost 30 14 3 13 47:47 45
5. Flamurtari nga Radolishta 30 14 3 13 49:51 45
6. Skopje 30 13 5 12 58:48 44
7. Teteksi 30 13 5 12 45:35 44
8. Karaormani 30 14 2 14 45:39 44
9. Prespa 30 14 2 14 47:49 44
10. Rabotnicki 30 11 10 9 45:33 43
11. Novaci 30 13 4 13 39:47 43
12. Svetlosti 30 12 7 11 41:48 43
13. Korabi 30 13 4 13 50:45 43
14. Gostivai 30 13 2 15 40:50 41
15. Ilindeni 30 9 5 16 28:57 32
16. Varoshi 30 4 1 25 24:92 13

Tabela, Liga e parë, 1996 -1997 
1. Sileksi 26 19 5 2 83:23 62
2. Pobeda 26 17 3 6 55:26 54
3. Slloga Jugomagnat 26 13 7 6 42:25 46
4. Vardari 26 11 10 5 32:15 40    
5. Sasa 26 10 7 9 36:31 37
6. Bregallnica 26 10 5 11 30:33 35
7. Makedonija GJP 26 10 4 12 38:30 48
8. Ballkani 26 8 9 9 31:26 33
9. Pelisteri 26 9 6 11 36:35 33
10. Bellasica 26 9 6 11 32:41 33
11. Tikveshi 26 8 8 10 33:39 32
12. Cementarnica 26 8 5 13 32:39 29
13. Shkëndija 26 8 5 13 27:48 29
14. Rudari Probishtip 26 1 2 23 15:111 5

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat