Kaos te femrat, Brazili u ndëshkua me tetë kartonë të kuq

Futboll

Kaos te femrat, Brazili u ndëshkua me tetë kartonë të kuq

Nga: K.G. Më: 10 qershor 2026 Në ora: 19:54
Pamje nga ndeshja

Futbollistet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishin mysafire të Brazilit në Fortaleza, ku zhvilluan një ndeshje miqësore që u karakterizua nga plot tetë kartonë të kuq, të gjithë të akorduar për ekipin vendas.

Gjithçka nisi në minutën e 77-të, kur u përjashtua përzgjedhësi i Brazilit, 44-vjeçari Arthur Ribas Elias.

Në atë moment, jo vetëm trajneri u largua nga fusha, por gjyqtarja spanjolle Paola Cebollada Lopez ndëshkoi me karton të kuq edhe tre anëtarë të stafit teknik vendas.

Kjo situatë ndezi atmosferën si në tribuna ashtu edhe në fushë, ndërsa tensioni kulmoi në minutat shtesë të ndeshjes.

Në minutën e 90+4, Bia Zaneratto u përjashtua pas shtyrjes së një lojtareje kundërshtare.

Më pas, në minutën e 90+9, Tarciane goditi me bërryl kundërshtaren Sophia Wilson dhe gjithashtu u ndëshkua me karton të kuq.

Në fund të takimit, edhe Kerolin dhe Ludmila morën kartonë të kuq, duke e çuar totalin në tetë për kombëtaren braziliane.

“Pavarësisht gjithçkaje, kam shumë respekt për Brazilin dhe kjo ishte një përvojë që nuk do ta harroj kurrë”, deklaroi trajnerja amerikane Emma Hayes.

Shtetet e Bashkuara fituan këtë miqësore me rezultat 1:0 falë një autogoli të Isabelës në minutën e 63-të.
Kupa e ardhshme e Botës për femra do të organizohet pikërisht në Brazil vitin e ardhshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat