Kampionati Botëror, 104 ndeshje dhe 39 ditë euforie! Nis spektakli me Meksikën dhe Afrikën e Jugut

Futboll

Kampionati Botëror, 104 ndeshje dhe 39 ditë euforie! Nis spektakli me Meksikën dhe Afrikën e Jugut

Nga: K.G. Më: 10 qershor 2026 Në ora: 23:58
Kupa

Momenti kur futbolli bëhet gjëja më e rëndësishme në botë ka ardhur, është koha për Kampionatin Botëror, garën që pritet me padurim çdo katër vjet dhe që zgjon eufori në çdo cep të globit, pavarësisht nëse një shtet merr pjesë apo jo.

Këtë verë, për herë të parë në histori, plot 48 kombëtare do të garojnë në Kampionatin Botëror.

Gjithsej do të zhvillohen 104 ndeshje gjatë 39 ditëve, në tri vende të mëdha organizatore: SHBA, Meksika dhe Kanada.

Gjithçka nis të enjten në orën 21:00 në stadiumin legjendar “Azteca”, tempulli i futbollit që për herë të tretë pret ndeshje të Botërorit. Në fushë do të zbresin nikoqiri Meksika dhe Afrika e Jugut, një përballje që kujton Botërorin e vitit 2010, por me role të ndryshuara.

Pas kësaj do të vijojë zgjimi i hershëm për tifozët, pasi në orën 04:00 luhet sfida mes Çekisë dhe Koresë së Jugut në Guadalajara, ndërsa derbi i parë i madh zhvillohet mesnatën ndërmjet së shtunës dhe së dielës, kur në stadiumin “MetLife” përballen Brazil dhe Mroku.

Nga “Azteca” te “MetLife”

Tri shtetet organizatore kanë përzgjedhur 16 qytete pritëse, përfshirë Nju Jorkun, Dallasin, Atlantën, Bostonin, Los Anxhelosin, San Franciskon, Filadelfian, Hjustonin, Kansas Cityn, Seattle, Miamin, Mexico Cityn, Guadalajaran, Monterreyn, Toronton dhe Vankuverin.

Ceremonia hapëse do të shoqërohet me performancën e Shakiras në stadiumin “Azteca”, ndërsa nga çerekfinalet e tutje të gjitha ndeshjet do të zhvillohen vetëm në SHBA, me finalen e madhe në “MetLife”.
Messi dhe Ronaldo vendosin rekord

Si kampion në fuqi në Botëror vjen Lionel Messi, për të cilin ky do të jetë Botërori i gjashtë, një rekord që do ta ndajë me rivalin e tij të madh, Cristiano Ronaldo. Të dy do të bëhen futbollistët me më së shumti paraqitje në Kampionate Botërore.

Pas tyre me nga pesë Botërorë mbeten emra si Rafael Marquez, Andres Guardado, Lothar Matthäus dhe Luka Modriçi, i cili këtë verë do të luajë gjithashtu në Botërorin e pestë.

Tetë kampionë ose një emër i ri

Titullin e kampionit e mbron Argjentina, ndërsa favoritë kryesorë konsiderohen edhe Franca, Spanja, Brazil, Anglia, Gjermania dhe Portugalia.

Nga këto kombëtare, vetëm Portugalia nuk ka arritur ndonjëherë të shpallet kampione bote.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat