Ambiciet në rrugën drejt trofeut janë të mëdha në kampin e Brazilit, me pengesën e parë që mban emrin Marok. Seleçao e nis aventurën për të siguruar titullin e gjashtë botëror me shumë optimizëm, pas një serie prej tre fitoresh radhazi në miqësore ku shënoi plot 11 gola.
Forma e sulmit të Seleçao ka rikthyer besimin se Brazili është një nga kandidatët kryesorë për triumfin final.
Brazili ka kujtime të veçanta nga Amerika e Veriut, pasi fitoi Kupën e Botës në vitin 1994, kur turneu u zhvillua në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, vitet e fundit nuk kanë qenë të lehta për pesë herë kampionët e botës, të cilët kanë kaluar vetëm një herë në çerekfinale që nga triumfi i fundit në vitin 2002.
Pavarësisht këtyre rezultateve, historia mbetet në anën e Brazilit. Asnjë kombëtare tjetër nuk ka luajtur më shumë ndeshje në Kupën e Botës (114) apo nuk ka regjistruar më shumë fitore (76) në këtë kompeticion.
Për këtë arsye, pritshmëritë ndaj tyre mbeten të larta që në ndeshjen hapëse. Në krahun tjetër, Maroku vjen me një histori më të shkurtër në këtë turne, por me një reputacion të ri të ndërtuar pas suksesit të jashtëzakonshëm në Katar 2022, ku arriti deri në gjysmëfinale. Ecuria e tyre e fundit ka konfirmuar se ai rezultat nuk ishte rastësi.
Luanët e Atlasit siguruan kualifikimin me një rekord perfekt prej 8 fitoresh në 8 ndeshje dhe më pas fituan Kupën Arabe, ndërsa arritën edhe finalen e Kupës së Kombeve të Afrikës. Pas fitimit të trofeut të fundit në fillim të vitit, Maroku ka mbetur i pamposhtur në pesë ndeshje miqësore.
Statistikat tregojnë një përballje interesante që do të luhet mesnatën e kësaj të diele. Brazili ka fituar dy nga tre përballjet e fundit direkte ndaj Marokut, ndërsa ka një rekord mbresëlënës në ndeshjet hapëse të Kupës së Botës: 20 ndeshje pa humbje (17 fitore dhe 3 barazime). Një tjetër detaj interesant është forma në fundin e ndeshjeve: në katër sfidat e fundit të Brazilit është shënuar mesatarisht 1.5 gola pas minutës së 75-të.
Ndërkohë, Maroku ka ruajtur portën e paprekur në pjesën e parë në 24 ndeshjet e fundit. Megjithatë, historia nuk është shumë pozitive për Marokun në debutimet botërore, pasi nuk ka fituar kurrë ndeshjen e parë në Kupën e Botës (3 barazime dhe 3 humbje).
Një përballje mes një Brazili që kërkon lavdinë e gjashtë dhe një Maroku që synon të vazhdojë historinë e tij të re premton të jetë një nga sfidat më interesante të fazës së grupeve.