Përzgjedhësi i Bosnjë dhe Hercegovinës, Sergej Barbarez, ka kaluar një periudhë jashtëzakonisht traumatike gjatë luftës civile në ish-Jugosllavi. I lindur në një familje të përzier etnike, ai mendonte se do të shkonte vetëm për disa ditë apo javë në Gjermani.
Por gjithçka mori drejtim tjetër.
Sergej Barbarez (54), arriti sukses historik duke e kualifikuar Bosnjën në Kampionatin Botëror 2026 në SHBA, Meksikë dhe Kanada.
Në vendin ku lindi dhe për të cilin luajti 47 ndeshje, ai shënoi suksesin më të madh si trajner dhe e festoi në mënyrë shumë emocionale. Historia e jetës së tij ngjan me një film dhe ai gjithmonë ka folur hapur për të, ashtu siç shpërtheu në lot të martën mbrëma në Zenicë, pas fitores së madhe ndaj Italisë, e cila siguroi kualifikimin në Botëror.
“Vetëm po e pres atë 12 qershor dhe orën 21:00 sipas kohës sonë, kur të dëgjohet himni ynë… Ky është ëndrra ime e jetës”, tha ai, duke u ndalur për pak në konferencën për shtyp pasi emocionet e pushtuan.
Barbarez ka lindur në Mostar dhe pranon se deri në moshën 20-vjeçare as nuk e dinte “çfarë ishte”, cilës fe i përkiste apo me cilin identitet duhej të rreshtohej.
“Përveç meje dhe gruas sime, e gjithë familja ishte në luftë. Në televizion shikonim pamjet e shkatërrimit dhe njerëz të pafajshëm që vdisnin, ishte e tmerrshme. Nuk jam njeri fetar. Deri në moshën 20-vjeçare nuk e dija çfarë isha. Nëna ime është gjysmë kroate, gjysmë myslimane, babai im ishte serb ortodoks, ndërsa gruaja ime është kroate. Të gjitha këto për mua janë të parëndësishme”, kishte deklaruar ai dikur për mediat gjermane gjatë karrierës si futbollist.
Ai nuk i ka pagëzuar fëmijët dhe me vetëdije u ka vendosur emra neutralë, që nuk tregojnë përkatësi boshnjake, serbe apo kroate.
Përvojën e rëndë nga Mostari nuk e harroi kurrë.
“Në dimrin e vitit 1991, babai më sugjeroi të shkoja te daja në Hanover. Lufta tashmë kishte nisur në Slloveni dhe Kroaci.
Babai mendonte se nuk do të ishim të sigurt në Mostar, por në të njëjtën kohë ishte i bindur se lufta nuk do të zgjaste shumë.
Shpresonte që të kthehesha pas dy javësh”, tregonte Barbarez.
“Sot mund të them se babai kishte vepruar drejt.
Përveç faktit që luftërat janë gjithmonë të pakuptimta, shtrohet pyetja: për kë apo kundër kujt bëhen? Nëna ime është nga një martesë mes një kroati dhe një boshnjakeje, babai im ishte serb.
Feja dhe kombësia kurrë nuk kanë luajtur rol kryesor në familjen time”.
Deri në vitin 1991, Barbarez ishte zhvilluar si futbollist te Velezhi, ndërsa më pas luajti vetëm në Gjermani deri në fund të karrierës për Hannoverin, Union Berlinin, Hansa Rostock, Borussia Dortmundin, Hamburgut dhe Bayer Leverkusenin.
Që nga viti 1998 ai nisi të luante për Bosnjë dhe Hercegovinën, pasi nëna e tij, Zlata, e cila kishte mbetur në Mostar, ishte kërcënuar seriozisht. Sipas rrëfimit të tij, kishte pasur edhe kërcënime me vdekje kur djali i saj mori ftesë për të luajtur për Bosnjën.
“Një ditë politika ndërhyri dhe garantoi sigurinë e familjes sime.
Sigurisht, kjo nuk do të thoshte siguri 100 për qind, por ai premtim më dha një qetësi të brendshme. Kështu, më 14 maj 1998, në moshën 26-vjeçare, debutova për kombëtaren. Humbëm në Kordobë ndaj Argjentinës me rezultat 5:0”, kujtoi ai.
\Një moment që tifozët e Bosnjës nuk ia harruan kurrë ishte kur, gjatë një ndeshjeje ku tifozët boshnjakë po sulmoheshin në tribuna, Barbarez kërkoi nga gjyqtari Kyros Vassaras ndërprerjen e takimit.
“Në atë moment mendimi im i vetëm ishte të shkoja te gjyqtari dhe t’i kërkoja ta shikonte vet situatën dhe të vlerësonte çfarë po ndodhte.
Kjo nuk ishte normale dhe në sport jepen dënime të rënda ose ndeshjet ndërpriten edhe për situata më pak serioze.
Ai më tha se nuk mund të bënte asgjë dhe se vendimin e merrte delegati.
Kur më thanë në stadium se ndeshja mund të ndërpritej për fishkëllima, më erdhi të qeshja, sepse ishte absurde.
Që nga ai moment, mendja ime nuk ishte më në lojë, por vetëm te njerëzit në tribuna”, tregoi Barbarez, duke shtuar se edhe sot i vjen keq që nuk e largoi ekipin nga fusha.