Rafa Mir dënohet me 8 vjet e gjysmë burg

Futboll

Rafa Mir dënohet me 8 vjet e gjysmë burg

Më: 16 qershor 2026 Në ora: 09:46
Rafa Mir

Sulmuesi spanjoll Rafa Mir është dënuar me tetë vjet e gjysmë burg pasi u shpall fajtor për sulm seksual dhe shkaktim lëndimesh ndaj një gruaje të re. Megjithatë, futbollisti ka reaguar menjëherë pas vendimit, duke deklaruar se nuk pajtohet me verdiktin dhe se do ta apelojë atë.

Vendimi është marrë nga Gjykata Provinciale e Valencias dhe lidhet me një ngjarje të ndodhur në shtëpinë e futbollistit në gusht të vitit 2024. Pavarësisht dënimit të rëndë, Mir vazhdon të deklarojë pafajësinë e tij.

Në një reagim në rrjetet sociale, ish-sulmuesi i Valencia CF dhe Wolverhampton Wanderers tha se nuk është dakord me vendimin e gjykatës dhe se ekipi i tij ligjor do të paraqesë ankesë në ditët në vijim.

“Vazhdoj të kem besim te drejtësia”, shkroi ai në deklaratën e publikuar në Instagram.

Rasti ka vënë në pozitë të vështirë edhe klubet e lidhura me lojtarin. Mir është në pronësi të Sevilla FC, ndërsa sezonin e kaluar luajti si i huazuar te Elche CF. Klubi i Elches ka deklaruar se është informuar për vendimin përmes mediave dhe se do të japë qëndrim zyrtar vetëm pasi të shqyrtojë dokumentacionin ligjor.

Gjatë procesit gjyqësor, Mir kishte deklaruar se marrëdhënia kishte qenë me pëlqimin e të dyja palëve dhe se ngjarjet “kishin rrjedhur natyrshëm”. Megjithatë, gjykata i hodhi poshtë këto pretendime, duke i dhënë më shumë peshë dëshmisë së viktimës dhe deklaratave të dhëna menjëherë pas incidentit para autoriteteve.

Beteja ligjore tani pritet të vazhdojë në Gjykatën Supreme, ku avokatët e futbollistit do të kërkojnë rrëzimin e vendimit.

Në të njëjtin rast është dënuar edhe Pablo Jara, i cili mori dy vjet burg për sulm seksual dhe vepra kundër integritetit moral. Sipas vendimit, ai lidhet me të njëjtën ngjarje që çoi në dënimin e Mir. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat