Portieri i Shkëndijës së Haraçinës: Nuk jemi rastësisht në Ligën e Parë 

Futboll

Portieri i Shkëndijës së Haraçinës: Nuk jemi rastësisht në Ligën e Parë 

Nga: K. G. Më: 7 gusht 2026 Në ora: 13:21
Stolevski

Shkëndija e Haraçinës është gati të shkruajë një tjetër faqe historike në elitën e futbollit të Maqedonisë.

Këtë të premte, skuadra do ta zhvillojë ndeshjen e saj të parë si vendase në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, ku në stadiumin e Çairit do të përballet me Sileksin.

Pas fillimit të vështirë të sezonit dhe humbjes ndaj kampionit Struga Trim Lum, drejtuesit e klubit nuk qëndruan duarkryq: mbrojtja është përforcuar me emra të rinj gjatë afatit kalimtar, për t’i dhënë ekipit më shumë siguri.

Portieri Antonio Stolevski thekson se gabimet nga java e parë tashmë i përkasin së kaluarës.

“Nga ndeshja kundër Strugës kemi nxjerrë mësimet e nevojshme.

Ajo sfidë ka përfunduar dhe mendimet tona janë 100% të përqendruara te sfida e radhës”, deklaroi Stolevski.

Sileksi vjen në Çair me moral të lartë, pas fitores bindëse 6:0 ndaj Bashkimit.

“Sileksi është një kundërshtar cilësor që meriton respekt maksimal, por ne do të luftojmë për çdo top në fushë, nga minuta e parë deri te fishkëllima e fundit e gjyqtarit.”

Stolevski pati edhe një mesazh të qartë për opinionin sportiv dhe tifozët besnikë.

“Nuk jemi rastësisht në Ligën e Parë dhe nuk kemi ardhur këtu për të luajtur një rol episodik. I ftoj të gjithë tifozët tanë ta mbushin stadiumin e Çairit dhe të jenë lojtari ynë i 12-të drejt fitores së parë historike në fushën tonë.”

Ndeshja Shkëndija– Sileksi zhvillohet sot (7 gusht), me fillim nga ora 17:00, në stadiumin e Çairit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat